“Do ta pranoja kandidaturën”, analisti tregon pse Haradinaj do ta kishte të vështirë të bëhej president
Partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur një konsensus me partitë opozitare lidhur me çështjen e presidentit, ndërsa një emër nga kjo e fundit është vetofruar.
Ramush Haradinaj, ish- kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është shprehur i gatshëm ta pranojë kandidaturën për president të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se një gjë të tillë do ta pranonte nëse do të propozohej nga opozita.
“Nëse opozita do të hynte në garë me emrin tim si propozim për president, unë do të isha i gatshëm, nuk po ofrohem, por nëse ata e vlerësojnë se duhet të jem kandidat, do ta pranoja kandidaturën. Unë nuk ofrohem në një marrëveshje me Vetëvendosjen. Unë nuk kam qenë kurrë kandidat për president. Unë mendoj se duhet të ketë komunikim pozitë-opozitë. Nuk mundet VV që të imponojë kandidat siç ishte rasti i Feride Rushitit. Ose ajo ose zgjedhje”, ka thënë ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj.
Tutje, Haradinaj vlerësoi se nëse Kosova synon demokraci, duhet të ketë kandidat si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
“Nëse synohet demokraci, duhet ta propozohet një president nga pozita e një nga opozita. Kurti nuk i ka fituar të gjitha votat që vetëm ai të vendos për çdo gjë në Kosovë. Ai nuk po bashkëpunon me opozitën për president, por po thotë se duhet votuar vetëm atë që ai e dëshiron”, deklaroi ish-kreu i Aleancës, Ramaush Haradinaj.
Lidhur me gatishmërinë e Haradinajt për të pranuar kandidaturën e presidentit nëse propozohet nga opozita, ka folur për “Bota sot”, analisti politik Lirim Gashi.
Sipas tij, gatishmëria personale e Haradinajt nuk mjafton.
“Nuk kam dilemë se z. Haradinaj do të ishte i gatshëm ta pranonte një kandidaturë të tillë, nëse do të propozoheshte nga opozita. Megjithatë, gatishmëria personale nuk mjafton. Presidenti duhet të jetë figurë që krijon ura bashkëpunimi dhe siguron besim të gjerë politik e shoqëror. Pikërisht këtu mendoj se kandidatura e tij do të përballej me vështirësi serioze”, shprehet Gashi.
ImageLirim Gashi
Ai beson në një kandidat të përbashkët nga opozita, por nuk e konsideron Haradinajn emër konsensual.
“Teorikisht opozita mund të gjejë një kandidat të përbashkët, por nuk besoj se Ramush Haradinaj është emri më konsensual. Ai është një nga figurat më të profilizuara dhe më polarizuese të politikës kosovare. Një president konsensual duhet të ketë aftësinë të fitojë mbështetje edhe jashtë bllokut që e propozon, ndërsa Haradinaj do ta kishte të vështirë ta arrinte këtë”, thekson analisti.
Kandidatura e Haradinajt mund të përballej me shumë sfida, thotë Gashi, duke shtuar se ai për vite ka qenë protagonist i përplasjeve të forta politike.
“Mendoj se kandidatura e tij do të përballej me të njëjtat, madje ndoshta edhe me më shumë sfida. Arsyeja nuk lidhet me kontributin e tij historik, i cili është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, por me faktin se posti i Presidentit kërkon një figurë që perceptohet si mbi interesat partiake. Haradinaj ka qenë për shumë vite protagonist i përplasjeve të forta politike, gjë që e bën të vështirë të shihet si figurë unifikuese. Për më tepër, për të zgjedhur Presidentin nevojiten vota përtej opozitës, dhe aktualisht nuk ka sinjale se ai do të mund ta siguronte një shumicë të tillë”, përfundon Gashi.
