Filkov: Provimi i jurisprudencës vetëm në maqedonisht, nuk ka bazë ligjore për gjuhët tjera
Ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Bordit Qendror të ZNAM-it, Igor Filkov, këmbëngul se provimi i jurisprudencës mund të jepet vetëm në gjuhën maqedonase, pasi, sipas tij, Kushtetuta dhe ligjet aktuale nuk lejojnë përdorimin e gjuhëve të tjera. Duke komentuar debatin për mundësinë e një zgjidhjeje hibride, Filkov tha se për këtë propozim është informuar përmes mediave dhe se fillimisht duhet të paraqitet një zgjidhje konkrete, e cila do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Ai shprehu shqetësim edhe për kundërshtimin e modelit të propozuar nga disa prej kandidatëve që synojnë të punojnë si gjykatës, prokurorë apo avokatë, ku përdorimi i gjuhës maqedonase është i pranishëm. Filkov theksoi se ZNAM nuk ndryshon qëndrim dhe se për çdo ndryshim mund të diskutohet vetëm pasi të prezantohet një zgjidhje konkrete ligjore.
