Fetai: BDI mos te manipuloj me tabelat në Demir Hisar
Vendosja e tabelave rrugore në Demir Hisar vetëm në maqedonisht është përdorur nga dega e BDI-së në Kërçovë dhe disa portale për të pretenduar se nuk po respektohet ligji.
Por drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Nuredin Fetai, thotë se ligji është i qartë dhe apelon që të mos manipulohet e të mos shërbehet me mashtrime dhe gënjeshtra.
BDI-Kërçovë në reagimin e saj ka kritikuar koalicionin VLEN dhe drejtuesit shqiptarë në institucionet publike, duke pretenduar se në fotografitë e publikuara më 10 nëntor 2026 nga kjo ndërmarrje për sinjalistikën e re në rrugën rajonale R1305, në relacionin Demir Hisar–Slladuevë, mbishkrimet janë vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa shqipja mungon plotësisht.
Nga ana tjetër, në një prononcim për agjencinë e lajmeve INA, drejtori Nuredin Fetai i ka hedhur poshtë këto akuza, duke sqaruar se segmenti rrugor gjendet në territorin e Komunës së Demir Hisarit, ku sipas kornizës ligjore në fuqi nuk plotësohen kushtet demografike për vendosjen e tabelave dygjuhësore.
“Kjo është manipulim i pastër dhe keqpërdorim duke u marrë me lajme të rrejshme, sepse edhe ashtu kanë funksionuar e funksionojnë me mashtrime e manipulime”, ka deklaruar Fetai për INA.
Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, vendosja e tabelave rrugore dhe mbishkrimeve në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase është e detyrueshme në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku bashkësia shqiptare përbën të paktën 20 për qind të popullsisë, si dhe në rrugët magjistrale dhe korridoret kryesore shtetërore, kusht ky që nuk plotësohet në territorin e Komunës së Demir Hisarit.(INA)
