TË FUNDIT

Takimi me Kurtin, presidentja Shiroka-Pula: Bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Një njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pas takimit me presidenten e vendit, edhe kryeministri Albin Kurti është deklaruar për media.

Ai falënderoi presidenten Shiroka-Pula për pranimin e kandidaturës për presidente.

“Ishte një takim i parë me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror të Republikës, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim…

Tash na presin shumë punë e angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë, dijen e mundësinë që kemi do t’i shtyjmë përpara sa më shpejt që mundemi”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kurti u shpreh më tej se Republika e Kosovës më në fund pas më shumë se një vit e gjysmë ka institucionet plotësisht funksionale.

“…Tash natyrisht se nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha ai, duke shtuar se hasi në mirëkuptimin dhe vullnetin e presidentes që të bashkërendohen maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *