Enver Bytyçi: Po! Albin Kurti ka ambicie për pushtet!
“Albin Kurti ka ambicie për pushtet”, ankohen opozitarët. Sikur këta kundërshtarët e Kurtit nuk paskan ambicie për pushtet. Të jesh në politikë dhe të mos luftosh për të marrë dhe menaxhuar pushtet, do të thotë të jesh politikan i dështuar. Të gjithë politikanët kanë si synim pushtetin. Kjo është krejt legjitime dhe këtu nuk përjashtohet askush, as Albin Kurti. Por ka një vijë ndarëse midis ambicies së shëndoshë dhe ambicies me ego e inat të kalit të trembur për pushtet. Ka një dallim midis atyre që kanë ambicie për pushtet dhe këtë e përdorin me qëllim t’i shërbejnë atdheut, vendit e qytetarit, si dhe atyre që ambicien politike dhe vetë pushtetin e përdorin për korrupsion, për pasuri, prestigj dhe lavdi.
Nëse ambicia politike e Albin Kurtit ka dëshmuar se ai është i përkushtuar t’u shërbejë qytetarëve, shtetit, tërësisë territoriale, sovranitetit, konsolidimit, përparimit dhe progresit, ka politikanë që ambicien politike e kanë dëshmuar si aftësi për kompromise deri te cënimi i integritetit territorial të vendit. Rasti tipik është Edi Rama në Shqipëri, i cili grabit pronat e qytetarëve dhe përmes ligjit të forcës, madje të votuar nga mazhoranca e tij në parlament, këto prona ua jep atyre që e mbajnë atë në pushtet, vendas apo të huaj qofshin ata. Mjafton që të jenë të fuqishëm për të grumbulluar vota brenda vendit dhe të sigurojnë mbështetje ndërkombëtare nga jashtë. Ky rast është për t’u studiuar nga politologët dhe sociologët e politikës. Dhe në këtë studim do të bënte pjesë gjithashtu ajo që ndodhi në vitet 2017-2020 në përpjekjet e ish-presidentit të Kosovës dhe përkrahësve të tij për të dhënë territore në këmbim të pushtetit.
Albin Kurti është ambicioz, madje i spikatur dhe i dëshmuar. Por jo duke shkel mbi vullnetin e qytetarëve. Ambicien e tij për pushtet nuk e bazon te lobimi apo te fasada “për t’u shfaqur të partnerët ndërkombëtarë si djali jo problematik” e për të bërë kompromise që e dëmtojnë shtetin, territorin dhe popullin e Kosovës. Megjithatë Vjosa Osmani e akuzoi “për pazare”, kur i kërkoi Kurtit të sqarojë publikun se “çfarë ai kishte biseduar në një dhomë të mbyllur në Bruksel me Vuçiq dhe me Lajçak”! Këtë akuzë ajo e paraqiti si “fakt” që e bën kryeministrin e Kosovës së paku të dyshuar në qëndrimet e tij ndaj interesit të vendit të tij. Ndërkohë Albin Kurti ka dëshmuar me vepra se çfarë ka biseduar me Vuçiq dhe Lajçak në ato kohë. Dëshmitë i shohin qytetarët e Kosovës dhe e kanë emrin mbyllje e strukturave të sigurisë, administrimit dhe financave të Serbisë në Kosovë. E kanë emrin luftë kundër mikut kriminel të Vuçiq, me emrin e dashur për opozitën e Kosovës, Milan Radoiçiq. E kanë emrin forcim të ushtrisë dhe forcave të armatosura, rritje të dhjetëfishtë të buxhetit për mbrojtjen, heqje të fussnotës, barazi në bisedimet me Serbinë, demaskim të politikave fashiste të Beogradit, ndalim të presidentit e madje edhe të përfaqësuesve të zyrës së Kosovës për të hyrë në territorin e vendit. Bisedat e Kurtit me dyër të mbyllura ose të hapura kanë prodhuar forcimin e shtetit e jo dobësimin e tij. Kanë prodhuar mungesë kompromisi me Serbinë, madje duke pranuar në kundërshtim me dëshirën e Vjosës, sanksione nga BE.
Pra, ambicia e Kurtit për pushtet është tashmë e njohur nga qytetarët e Kosovës. Eshtë ambicie për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj, shtetit dhe sovranitetit të tij. Këtë e pranojnë edhe shumë opozitarë. Po ambicia e Vjosa Osmanit dhe e atyre të cilëve ajo iu bashkëngjit cila është? Edhe ajo është ambicie për pushtet. Por në një forme krejt tjetër nga ajo ambicia e Albin Kurtit. Eshtë ambicie për pushtet me kusht. Cilat janë kushtet? Nëse nuk jam unë, Kosova le të “digjet”! Ndërsa ambicia e atyre me të cilët u bashkua Vjosa (LDK, PDK, AAK dhe Nisma) është pushtet për të mbrojtur pasuritë që ia kanë grabitur Kosovës. Për këtë arsye Vjosa Osmani ishte ndarë nga LDK dhe megjithëse në kampin e opozitës nuk ka ndryshuar asgjë, ajo sërishmi për pushtetin e saj iu bashkua kësaj kategorie politikanësh që luftojnë vetëm për pushtet, pasuri e prestigj të rrejshëm. Edhe lidhjet e forcuara dhe dëhmuara me Edi Ramën shkojnë në këtë linjë dhe nuk ngjajnë aspak me atë dhomën e fshehtë të Brukselit ku qenkan ngujuar Kurti, Vuçiq dhe Lajçak. Ndërkaq Vjosa ka harruar “këshillën” e mikut të saj, Edi Rama, kur u thoshte europianëve “Mbyllini Kurtin dhe Vuçiq në një dhomë dhe mos i leni të dalin prej aty derisa të bien dakord për kompromise”! Kompromiset e Ramës janë të njohura, ndarja e Kosovës, asosacioni, prezenca e Beogradit në Kosovë, heqja dorë e shtetit të Kosovës nga administrimi i “tokës së askujt” veriut të vendit. Këto nuk kanë ndodhur, sepse Albin Kurti ka ambicie për pushtet, por për një pushtet që i duhet lirisë, shtetit, sovranitetit dhe popullit të Kosovës! Ky është dallimi midis atyre që me pushtet pasurohen dhe atyre që pushtetin e përdorin për interesat e Kosovës e të qytetarëve të saj.
