Krim i organizuar dhe mbi 2.4 milionë euro shmangie, mediat nxirren jashtë gjykimit të 43 të akuzuarve me arsyetimin se “s’ka vende” në sallë
Seanca gjyqësore ndaj 43 të akuzuarve për krim të organizuar, e cila po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar me urdhrin që mediat të largohen nga salla e gjyqit.
Kjo me arsyetimin për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe avokatëve të pranishëm në sallë.
Të akuzuarit përballen me pretendimet e Prokurorisë Speciale për përfshirje në krim të organizuar, kontrabandë të cigareve dhe produkteve farmaceutike, si dhe shmangie të detyrimeve doganore e tatimore.
Sipas aktakuzës, dëmi i pretenduar nga shmangia e detyrimeve doganore arrin në mbi 1.6 milion euro, ndërsa shmangia e obligimeve tatimore llogaritet në mbi 2.4 milionë euro.
Të akuzuar në këtë rast janë: Argtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Qalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavgjiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Vladislav Trajkoviq, Mensur Bekteshi, Ramadan Bajra, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkelzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollqaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaqkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim se paku katër vjet.
Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë, në përputhje me ligjin.
