TË FUNDIT

E pabesueshme në Ligën e Kampionëve: Gjyqtari zëvendësohet në mes të ndeshjes shkaku se ishte i dehur

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Ligën e Kampionëve të Azisë 2, ku gjyqtari kryesor u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, pas ankesave të dy klubeve për sjelljen e tij gjatë ndeshjes.

Gjyqtari sirian Hanna Hattab u largua nga drejtimi i takimit mes Al Jazira dhe Gol Gohar, të zhvilluar të mërkurën në Abu Dhabi, pasi përfaqësuesit e të dy skuadrave pretenduan se e kishin parë duke konsumuar alkool.

Sipas raportimeve të mediave iraniane Varzesh3 dhe Eghtesadnews, gjithçka nisi në minutën e 32-të, kur Hattab ndëshkoi me karton të verdhë portierin e Al Jaziras, Ersin Destanoglu, pas një ndërhyrjeje të mbrojtësit të majtë të skuadrës vendase ndaj Ali Asghar Ashourit të Gol Goharit.

Vendimi shkaktoi reagime të ashpra nga futbollistët dhe stafi teknik i Al Jaziras, ndërsa ndeshja u ndërpre për rreth katër minuta.

Situata u bë edhe më e tensionuar në pushimin mes pjesëve, kur trajneri i Gol Goharit deklaroi se gjyqtari nuk ishte në gjendje normale.

The referee randomly booked Ersin, the Al Jazira goalkeeper after a foul in the middle of the pitch! https://t.co/p9W5O74uqN — Erfan Hoseiny 🇮🇷🇦🇪 (@Eri1806) November 25, 2026

“Ne kemi informuar Konfederatën Aziatike të Futbollit (AFC) se gjyqtari nuk është në gjendje normale dhe se ekipi ynë nuk do të dalë në fushë për pjesën e dytë”, raportohet të ketë thënë trajneri i klubit iranian.

Pas ankesave dhe kërcënimit të Gol Goharit për të mos vazhduar ndeshjen, u vendos që gjyqtari i katërt të merrte drejtimin e takimit në pjesën e dytë.

Sipas mediave iraniane, edhe përfaqësuesit e Al Jaziras kishin vërejtur sjellje të pazakontë nga gjyqtari dhe e kishin raportuar rastin te zyrtarët e AFC-së.

Megjithatë, Konfederata Aziatike e Futbollit ende nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për zëvendësimin e Hattabit, ndërsa pretendimet për konsumimin e alkoolit nuk janë konfirmuar.

Al Jazira në fund triumfoi me rezultat 1-0, falë golit të Talisca. Ndërkohë, eksperti ligjor iranian Houshang Nasirzadeh ka deklaruar për Varzesh3 se incidenti mund të çojë edhe në anulimin e rezultatit të ndeshjes./ Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *