Dosja: Si dyshohet se u organizua transporti i 136 kilogramëve marihuanë dhe si ndjekja policore përfundoi me aksident?
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj Avdush Nuhiji dhe Albina Cani dhe Taulant Etemit, të dyshuar në rastin e koduar “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Në aktvendimin e nxjerrë më 28.11.2026, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Gjykata ka përshkruar mënyrën se si dyshohet se ishte organizuar transportimi i substancës narkotike nga Kosova drejt Maqedonisë së Veriut, si dhe ndjekjen policore që përfundoi me aksident trafiku dhe lëndimin e dy personave.
Sipas arsyetimit të gjykatës, të pandehurit dyshohet se kishin vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, duke ndarë paraprakisht rolet dhe detyrat për sigurimin, marrjen, transportimin dhe përcjelljen e substancës narkotike.
Në këtë organizim, sipas aktvendimit, i pandehuri Jasir Bardi dyshohet se kishte rolin e vëzhgimit të terrenit dhe rrugës së transportit, duke lëvizur përpara automjeteve të tjera dhe duke mbajtur distancë prej tyre, me qëllim të vëzhgimit të rrugës dhe paralajmërimit për pengesa apo kontrolle të mundshme policore.
Ndërkaq, Avdush Nuhiji dhe Albina Cani dyshohet se kishin udhëtuar me automjetin “VW Tiguan”, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën përpara automjetit “Audi A6”, në të cilin transportohej marihuana.
Taulant Etemi dyshohet se e kishte drejtuar “Audi A6”, ku ishte gjetur substanca narkotike.
E sipas Gjykatës, marihuana paraprakisht ishte siguruar nga i pandehuri Abdullah Shala, i cili dyshohet se kishte bërë dërgimin e saj në drejtim të Hanit të Elezit dhe më pas në Maqedoninë e Veriut.
“Me çka të pandehurit, dyshohet se kanë kryer vepren penale “Blerja, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotiköve, substancave psikotrope dhe anaaloge”- thuhet në aktvendimin e gjykatës.
Si ndodhi ndjekja policore?
Sipas aktvendimit, rreth orës 09:50, në afërsi të kryqëzimit të rrugës E851 me autostradën R7, janë identifikuar automjetet që dyshohej se ishin përfshirë në transportin e substancës narkotike.
Pas përcjelljes nga njësitë policore, është tentuar ndalimi i automjeteve. Në këtë rast, automjeti “VW Tiguan” është ndalur, ndërsa Taulant Etemi duke drejtuar “Audi A6”, nuk u është bindur urdhrave policorë për ndalim.
Taulant Etemi dyshohet se ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi të madhe, duke tentuar t’i shmanget kontrollit policor.
Gjatë ndjekjes, ai ka vazhduar në drejtim të Ferizajt, ku në afërsi të urës së madhe dyshohet se ka shkaktuar aksident trafiku, me ç’rast janë lënduar dy qytetarë që udhëtonin me automjetin e tyre.
Pas aksidentit, automjeti ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Kaçanikut, ndërsa në afërsi të lokalit “Milenium” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Pas ndërhyrjes policore, Taulanti është ndaluar dhe arrestuar, ndërsa në automjet është gjetur substanca e dyshuar narkotike.
Tutje, Gjykata ka bërë të ditur se dyshimi i bazuar mbështetet edhe në provat e siguruara dhe të sekuestruara, përfshirë 121 paketime me substancë të dyshuar narkotike, me peshë të përgjithshme prej 136.33 kilogramësh.
Në mesin e provave janë edhe telefonat celularë, paratë e gatshme dhe dëshmi të tjera që dyshohet se kanë lidhje me veprat penale që janë nën hetim.
Të pandehurit dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsaTaulant Etemi dyshohet edhe për “Shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.
Në arsyetimin e aktvendimit, Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën e organizimit dhe realizimit të veprimtarisë së dyshuar, si dhe karakterin ndërkufitar të transportimit të narkotikëve.
Gjykata ka theksuar se Avdush Nuhiji është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dyshohet se ka pasur rol aktiv në organizimin dhe përcjelljen e transportit drejt shtetit fqinj.
Sa i përket Taulant Etemit, Gjykata ka vlerësuar se sjellja e tij gjatë ndjekjes policore, kur nuk u është bindur urdhrave për ndalim dhe ka vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe, përbën rrethanë konkrete që duhet të vlerësohet lidhur me rrezikun e shmangies nga procedura.
Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës duhet të sigurohen dhe analizohen komunikimet ndërmjet të pandehurve, të verifikohen kontaktet me persona të tjerë të përfshirë dhe të merren deklaratat e dëshmitarëve.
Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që të pandehurit, nëse lihen në liri, të ndikojnë në bashkëpjesëmarrësit e tjerë apo në dëshmitarët që kanë njohuri për rrethanat e rastit.
Gjykata ka marrë parasysh edhe rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke vlerësuar se dyshimet lidhen me një veprimtari të organizuar dhe të koordinuar, me përfshirjen e personave të tjerë që ende nuk janë arrestuar./ Kallxo.com
