TË FUNDIT

“Nuk fliste fare me mua”, ish-ylli i Barcelonës shpërthen ndaj Xavit për mënyrën si e trajtoi

Sulmuesi brazilian Vitor Roque ka kritikuar periudhën e tij te Barcelona, duke zbuluar se nuk kishte marrë mbështetjen e nevojshme nga trajneri i atëhershëm, Xavi Hernandez.

Futbollisti 21-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e Palmeirasit, ka rrëfyer për gazetën spanjolle AS vështirësitë që kishte përjetuar gjatë aventurës në Kataloni.

“Është e rëndësishme që ndonjëherë ta kesh mbështetjen e trajnerit, por unë nuk e pata atë kur u transferova te Barcelona. Pothuajse askush nuk fliste me mua, e kuptoni?”, deklaroi Roque.

Braziliani iu bashkua Barcelonës në janar të vitit 2024, në moshën vetëm 18-vjeçare, pasi klubi katalanas kishte vepruar shpejt për ta siguruar transferimin e tij.

Megjithatë, aventura e tij në Spanjë nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi problemet fizike ia vështirësuan që në fillim përshtatjen me skuadrën.

Duke kujtuar atë periudhë, Roque theksoi se transferimi te Barcelona kishte qenë realizim i një ëndrre, por përvoja në fund doli të ishte shumë më e vështirë nga sa kishte imagjinuar.

“U transferova te Barcelona kur isha 18 vjeç. Ishte një ëndërr e bërë realitet për mua të luaja për një nga klubet më të mëdha në botë, por përvoja ishte paksa e vështirë”, u shpreh ai.

“Mbërrita me shumë dhimbje. Gjatë asaj periudhe bëra fizioterapi dhe u përpoqa të arrija gjendjen më të mirë fizike, por në fund nuk ia dolëm. Nuk arrita të performoja në nivelin që kërkohet në futboll”, shtoi braziliani.

Roque gjithashtu theksoi se futbollistëve të rinj duhet t'u jepet kohë për t'u përshtatur, sidomos kur bëhet fjalë për kalimin në një kampionat dhe ambient krejtësisht të ri.

“Njerëzit mendojnë se kur mbërrijmë duhet të fillojmë menjëherë të luajmë në 100 për qind të kapaciteteve tona dhe të japim gjithçka, por nuk funksionon kështu. Na duhet durim.

“Ndonjëherë nuk na jepet koha e nevojshme për t'u përshtatur. Jemi shumë të rinj dhe mësimi i një gjuhe të re është jashtëzakonisht i vështirë”, përfundoi ai./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *