Dosja e organizatorit të protestës kundër Kurtit: Kallëzime për kanosje, dhunë në familje, zjarrvënie veturash e publikim fotografish në “AlbKings”…
Thirrja për protestë kundër kryeministrit Albin Kurti e bërë ditë më parë nga një person krejtësisht i panjohur për publikun, me emrin Durim Aliu, mori jehonë të madhe në disa media në Kosovë.
Ndërkohë që ky person mori hapsirë të madhe mediatike si organizator proteste kundër qeverisë Kurti, emri i Durim Aliut figuron në raportime dhe kallëzime të ndryshme në Policinë e Kosovës.
Sipas burimeve të KosovaNews brenda institucioneve të sigurisë Durim Aliu ka një dosje goxha voluminoze në Policinë e Kosovës si i dyshuar për disa vepra penale. Megjithëse pak i njohur për publikun ai është jo pak i njohur për organet e rendit ku emri i tij lidhet nga publikimi i fotografive të një vajze në Telegram që lidhet me grupin famkeq “AlbKings” e deri te dyshimet për zjarrvënie, dhunë në familje dhe kanosje.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga KosovaNews, emri i Durim Aliut është paraqitur në disa raste të ndryshme policore gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2024, një vajzë ka paraqitur ankesë në Policinë e Kosovës me pretendimin se Aliu kishte publikuar fotografitë e saj në grupin “AlbKings” në Telegram. Për të njëjtin rast është dorëzuar edhe kallëzim penal në Policinë e Kosovës.
Po gjatë vitit 2024, ai është hetuar për veprën “Ndihmë në lëndim të rëndë trupor”, megjithatë Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij dhe rasti nuk ka rezultuar me ngritje aktakuze.
Në vitin 2025, në Policinë e Kosovës është paraqitur një kallxim penal ku Durim Aliu Aliu është i dyshuar për djegien e veturës së një personi me të cilin kishte mosmarrëveshje.
Po ashtu në vitin 2025 Durim Aliu, është raportuar edhe në një rast të dyshuar të dhunës në familje.
Së fundmi, sipas evidencave policore në dosjen e Durim Aliut ekzison edhe vepra penale e kanosjes, në tetor të vitit 2026 ai dyshohet se ka kanosur një person tjetër.
Pas thirrjes publike të Durim Aliut për të organizuar protesta kundër qeverisë Kurti, nëpër rrjete sociale kanë qarkulluar fotografi të Aliut me gazetarin Lirim Mehmetaj. Edhe në profilin e tij në facebook Aliu ka shumë postime dhe shpërndarje të statuseve propaganduese të gazetarit Lirim Mehmetaj të cilat janë kryekput kundër kryeministrit Albin Kurti.
Natyrisht, në shtetin e së drejtës çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës. Megjithatë, kur një individ me një histori të tillë raportimesh dhe kallëzimesh paraqitet papritur si organizator protestash dhe merr mbështetje të konsiderueshme mediatike, lind nevoja për shqyrtim publik dhe gazetaresk për ta publikuar të vërtetën e plotë.
Çështja nuk është vetëm se kush është Durim Aliu, por edhe pse një pjesë e mediave po investojnë kaq shumë hapësirë për promovimin e tij dhe të protestës që ai përfaqëson. Në vend se të fokusohen vetëm te mesazhi politik i protestës, mediat kanë detyrim profesional të informojnë publikun edhe për kredencialet, të kaluarën dhe besueshmërinë e personave që paraqiten si zëra publikë.
Në fund, protesta mund të jetë e drejtë ose e gabuar në kërkesat e saj, por publiku ka të drejtë të dijë se kush janë njerëzit që pretendojnë ta udhëheqin atë.
