POLITIKATË FUNDIT

“Dikush në gjoks e ka kancerin, ju e rregulloni mindilin” – Ymeri kritikon Vitinë, përgjigjet ministri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer që sipas raportimeve ishte përballur me mungesë të barnave në Klinikën e Onkologjisë.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Ymeri ka thënë se lajmi për vdekjen e pacientes ishte konfirmuar nga disa burime, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si drejtori i Klinikës së Onkologjisë e kishte trajtuar rastin publikisht.

Ajo ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave për pacientët me kancer, duke ia drejtuar kritikat ministrit Vitia.

“Nuk e di, ministër, se si fle natën kur dikush në gjoks e ka kancerin e ju e rregulloni mindilin”, ka deklaruar Ymeri.

Deputetja e LDK-së ka theksuar se pacientja kishte mbetur pa barna për tre muaj, duke vënë në pikëpyetje gjendjen e furnizimit me terapi për pacientët onkologjikë.

Ymeri ka ngritur edhe çështjen e statistikave të vdekjeve dhe rasteve me tumor në Kosovë. Sipas saj, gjatë gjashtë viteve të fundit vdekjet janë rritur për 30 për qind, ndërsa rastet me tumor për më shumë se 42 për qind.

“Për gjashtë vjetët e fundit, 30 për qind ka pasur rritje të vdekjeve në Kosovë. Në menaxhimin tuaj, 30 për qind janë rritur vdekjet. Mbi 42 për qind janë rritur rastet me tumor”, ka thënë ajo, duke e kritikuar qeverisjen për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.

Në përgjigjen e tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes së ndjerë, por ka kundërshtuar mënyrën se si është raportuar rasti.

Vitia ka thënë se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa procedurat përkatëse mjekësore dhe ka akuzuar gazetaren dhe mediumin ku ajo punon se e kanë publikuar lajmin pa bërë verifikimet e nevojshme.

Sipas ministrit, pas publikimit të një njoftimi nga një shoqatë, Klinika e Onkologjisë është përpjekur të kontaktojë me të për të marrë informacione lidhur me rastin.

“Për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura të tjera për të qenë i qartë”, ka deklaruar Vitia në Kuvend.

Ai ka shtuar se drejtori i Klinikës së Onkologjisë ka mbledhur informacionet për rastin dhe ka publikuar një reagim për të sqaruar situatën. Vitia ka kritikuar mediumin që, sipas tij, nuk e ka publikuar reagimin institucional.

Debati në Kuvend është zhvilluar mes kritikave të deputetes Ymeri për mungesën e barnave dhe përgjegjësinë institucionale, si dhe kundërshtimeve të ministrit Vitia lidhur me mënyrën e raportimit të rastit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *