TË FUNDIT

Diego Moreira, goditja e madhe e Milanit: Sa paguan kuqezinjtë për yllin që pothuajse e mposhti i vetëm Interin në derbi

Diego Moreira ishte padyshim njëri prej protagonistëve kryesorë të fitores së Milanit ndaj Interit me rezultat 3-1. Në derbin e parë të karrierës së tij, 22-vjeçari belg dhuroi dy asistime brenda dhjetë minutave dhe shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, duke tërhequr gjithë vëmendjen në “San Siro”.

Paraqitja e tij ka rikthyer në vëmendje investimin e madh që Milani bëri për transferimin e tij nga Strasbourgu gjatë verës.

Në fakt, sipas Football Italia , Moreira mund të jetë goditja më e rëndësishme e kuqezinjve në afatin kalimtar të fundit.

Shkëlqeu në derbin e parë ndaj Interit

Moreira ishte në dyshim deri në momentet e fundit për shkak të një shqetësimi muskulor, por arriti të rikuperohej në kohë për derbin. Trajneri Ruben Amorim vendosi ta aktivizonte nga minuta e parë në krahun e djathtë dhe belgu e shpërbleu besimin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Fillimisht, ai e kaloi Carlos Auguston dhe dërgoi një top të shkëlqyer në zonë, ku Christian Pulisic realizoi me kokë për epërsinë e Milanit.

Vetëm pak minuta më vonë, Moreira ekzekutoi në mënyrë perfekte një skemë nga këndi, duke shërbyer për Adrien Rabiot, i cili dyfishoi rezultatin.

Interi arriti të ngushtonte epërsinë përmes Alessandro Bastonit, por para përfundimit të pjesës së parë Moreira dhuroi edhe momentin më të bukur personal. Ai ekzekutoi një goditje dënimi nga kufiri i zonës, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 3-1.

Moreira lights it up 🔥 https://t.co/aLfjQgSQZ0 — AC Milan (@acmilan) November 1, 2026

Katër gola dhe tri asistime në tetë ndeshje

Sezoni i parë i Moreiras te Milani kishte nisur me pak hapësira. Ai nuk u aktivizua në dy xhirot e para, ndërsa më pas u përfshi në formacionin titullar në përballjen ndaj Juventusit, ku nuk arriti të linte shumë përshtypje.

Megjithatë, shpërthimi i tij erdhi në ndeshjen ndaj Lazios në “Olimpico”, ku shënoi dy gola dhe ndihmoi Milanin të siguronte një barazim.

Para derbit ndaj Interit, goli i fundit i belgut datonte nga 30 shtatori, kur kishte realizuar në fitoren 3-0 ndaj Lecces, pasi ishte inkuadruar nga banka rezervë.

Në tetë paraqitje zyrtare këtë sezon, Moreira ka regjistruar katër gola dhe tri asistime. Shifra këto që marrin edhe më shumë vlerë duke pasur parasysh se jo në të gjitha ndeshjet ka qenë titullar.

Milani pagoi 51 milionë euro, por shuma mund të rritet në 68 milionë

Moreira iu bashkua Milanit nga Strasbourgu për një shumë prej rreth 51 milionë eurosh, ndërsa përfshirja e bonuseve në marrëveshje mund ta çojë vlerën e transferimit deri në afro 68 milionë euro.

Në momentin e transferimit, shuma e paguar nga klubi italian ishte konsideruar e lartë, por drejtuesit e Milanit kishin besim të madh në potencialin e futbollistit belg.

Para aventurës në Itali, Moreira ishte pjesë e Chelseat, ku nuk arriti të gjente hapësirën e nevojshme për të treguar cilësitë e tij. Ndërkohë, në sezonin e fundit me Strasbourgun, ai kishte realizuar pesë gola dhe kishte dhënë nëntë asistime në të gjitha garat, përfshirë Ligue 1, Ligën e Konferencës dhe Kupën e Francës.

Tashmë, paraqitja e jashtëzakonshme në derbin e Milanos e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes. Me katër gola dhe tri asistime në tetë ndeshje, Moreira po jep sinjale se investimi i madh i kuqezinjve mund të rezultojë një prej lëvizjeve më të qëlluara të verës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *