Deputeti i LVV-së pretendon se Adem Hoxha organizoi tubim në mbështetje të Vuçiqit në Dragash
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Filiz Mustafa, ka kritikuar deputetin Adem Hoxha, duke e akuzuar se ka organizuar në komunën e Sharrit një tubim në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prag të zgjedhjeve në Serbi.
Mustafa, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se Dragashi nuk duhet të shërbejë si vend për tubime që, sipas tij, i shërbejnë interesave politike të Beogradit.
“Të shtunën që shkoi, teksa hegjemonisti Ivica Daçiq shpaloste ëndrrat e tij hegjemoniste për t’u kthyer ‘një ditë’ në Prizren, në komunën e Sharrit, Adem Hoxha paska organizuar tubim në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka pretenduar se në tubim janë mbledhur qytetarë të komunitetit goran, të cilët, sipas tij, Hoxha i mban nën shantazh të vazhdueshëm.
Deputeti i LVV-së ka shprehur shqetësim edhe për pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisjes lokale të kryetarit të Dragashit, Bexhet Xheladini.
Sipas Mustafës, në tubim kanë marrë pjesë nënkryetari i komunës, Fejsal Haliloviç, tre drejtorë dhe një ish-drejtor komunal.
Ai ka kërkuar nga kryetari Xheladini që të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve komunalë që morën pjesë në këtë tubim, duke thënë se minimumi që do të duhej të bënte është shkarkimi i tyre.
Megjithatë, Mustafa ka shprehur bindjen se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi, sipas tij, Xheladini ka lidhur marrëveshje për bashkëqeverisje me ta.
Në reagimin e tij, deputeti i LVV-së i është drejtuar drejtpërdrejt edhe Adem Hoxhës, duke vënë në pikëpyetje rolin e tij si përfaqësues i komunitetit goran në Kuvendin e Kosovës.
“Adem Hoxha, si deputet i Kuvendit të Kosovës, duhet t’u përgjigjet qytetarëve: a është aty për t’i përfaqësuar denjësisht goranët e Sharrit, apo për të qenë zgjatim politik i Vuçiqit në Kosovë?”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka theksuar se vota e komunitetit goran duhet të shërbejë për përfaqësimin e interesave të qytetarëve dhe jo për, siç e ka cilësuar ai, shërbimin ndaj Beogradit.
“Sharri nuk është pronë e askujt. Goranët nuk janë vegla të politikave të huaja. Dhe Kosova nuk është tokë për ëndrrat hegjemoniste të askujt”, ka përfunduar Mustafa./Telegrafi/
