POLITIKATË FUNDIT

Dalin emrat e subjekteve nga Shqipëria që janë në listën e zezë amerikane

Deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane rezultonin të përfshirë 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave, numri më i madh i sanksioneve lidhet me Serbinë, me 49 individë dhe subjekte të sanksionuara. Pas saj renditet Kosova me 29, Bosnje e Hercegovina me 26, Maqedonia e Veriut me 12, Shqipëria me 8 dhe Mali i Zi me 7.

Vendimet për vendosjen e sanksioneve merren nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja, e njohur shkurt si OFAC, e cila vepron në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.

Lista përfshin individë dhe biznese që sanksionohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, sanksionet lidhen kryesisht me dyshime për përfshirje në krim të organizuar, korrupsion ose veprimtari që cenojnë stabilitetin rajonal.

Në mesin e të sanksionuarve në Ballkan ka gjithashtu persona dhe subjekte që lidhen me aktivitete terroriste ose me ndikimin e Rusisë.

SHBA-ja vendosi fillimisht sanksione për Ballkanin Perëndimor në periudhën 2001-2004, për shkak të krimeve të luftës, destabilizimit të vendeve dhe cenimit të paqes pas përfundimit të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1991-1999.

Një dekadë më vonë, sanksionet u rikthyen në vëmendje për shkak të korrupsionit, trafikimit të narkotikëve, terrorizmit, si edhe veprimeve që cenojnë paqen dhe stabilitetin.

Që nga viti 2022, në listën e të sanksionuarve janë përfshirë edhe persona dhe subjekte që mbajnë lidhje me Rusinë, e cila është izoluar ndërkombëtarisht pas pushtimit të Ukrainës.

Vendimi për zgjatjen e vlefshmërisë së mekanizmit ligjor që i mundëson SHBA-së vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “masat e gjendjes së jashtëzakonshme”, u zgjat zyrtarisht më 22 qershor 2026 edhe për një vit tjetër.

Në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin gjithsej 71 subjekte dhe 60 individë. Subjektet juridike të sanksionuara janë kryesisht të lidhura me individë të sanksionuar.

Sanksionet e targetuara mund të përfshijnë ndalim udhëtimi, kufizime financiare, kufizime tregtare dhe ngrirje të pasurisë.

Qëllimi i këtyre masave është izolimi i individëve ose subjekteve juridike të sanksionuara, në mënyrë që t’u kufizohet qasja në burime politike dhe ekonomike.

Lista e subjekteve nga Shqipëria të sanksionuara nga SHBA

Subjektet që përfshihen në listën e sanksioneve nuk hiqen automatikisht, edhe nëse kanë pushuar së ekzistuari ose janë likuiduar.

Sipas rregullave të OFAC, që një organizatë të hiqet nga lista e sanksioneve, duhet të paraqitet një kërkesë formale ligjore, në formën e një peticioni, ku të dëshmohet “ndryshimi i rrethanave” ose ndërprerja e veprimtarisë së kontestuar.

Për këtë arsye, në listën e të sanksionuarve vijojnë të jenë edhe subjekte të shuara, të cilat nuk ushtrojnë më aktivitet.

Në Shqipëri, në listën e OFAC ndodhen pesë entitete.

1. AL-HARAMAIN, dega në Shqipëri

Statusi: E mbyllur dhe e sanksionuar.

Lokacioni: Përveç Shqipërisë, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, organizata Al-Haramain ka qenë e pranishme edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Programi: Specially Designated Global Terrorist, shkurt SDGT, që do të thotë terrorist global i veçuar posaçërisht.

Veprimtaria: Punë humanitare.

Data e sanksionimit: 2 qershor 2004.

2. GLOBAL RELIEF FOUNDATION, INC.

Statusi: E mbyllur dhe e sanksionuar.

Lokacioni: Përveç Shqipërisë, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Global Relief Foundation ka qenë e pranishme edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi.

Programi: Specially Designated Global Terrorist, shkurt SDGT, që do të thotë terrorist global i veçuar posaçërisht.

Organizata gjendet gjithashtu në listat e konsoliduara të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të Bashkimit Evropian.

Veprimtaria: Organizatë humanitare.

Data e sanksionimit: 18 tetor 2002. Pasuritë dhe llogaritë e saj ishin bllokuar më herët, në dhjetor të vitit 2001.

3. HURIYA PRIVATE FZE LLE

Lokacioni: Si një rrjet shumëkombësh që dyshohet se shërbente për shmangien e sanksioneve, HURIYA PRIVATE FZE LLE nuk ka një adresë fikse në Shqipëri. Megjithatë, në bazën e të dhënave të OFAC, Shqipëria është shënuar si një pikë operative e saj.

Adresat e kompanisë janë të regjistruara në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhet selia kryesore, si edhe në Qipro, Zvicër dhe Katar.

Programi: RUSSIA-E014024.

Veprimtaria: Ofrimi i shërbimeve për sektorin korporativ.

Kompania është sanksionuar së bashku me drejtorin e saj ekzekutiv, John Desmond Hanafin, shtetas irlandez. Sipas hetimeve të OFAC, ata janë sanksionuar për ndihmën që dyshohet se u kanë ofruar shtetasve rusë për shmangien e sanksioneve.

Kompania është akuzuar për pastrim parash dhe për transferimin e pasurisë ruse jashtë vendit, kryesisht drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.

Data e sanksionimit: 19 maj 2023.

4. GRUPI I ORGANIZUAR KRIMINAL HYSA

Lokacioni: Grupi kriminal është i vendosur në Shqipëri dhe në Meksikë.

Programi: TCO, Transnational Criminal Organisation, që do të thotë organizatë kriminale transnacionale.

Veprimtaria: Organizatë kriminale.

Sipas një hetimi të përbashkët ndërkombëtar të agjencive amerikane dhe meksikane, anëtarët e familjes Hysa, përkatësisht Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabion, kanë përdorur investime në biznese në Meksikë dhe Evropë për të legalizuar qindra miliona dollarë të fituara nga shitja e narkotikëve.

Përveç kazinove, grupi dyshohet se ka pastruar para edhe përmes një zinxhiri restorantesh luksoze dhe përmes kompanive të regjistruara në Meksikë, Kanada dhe Poloni.

Grupi është i lidhur me kartelin meksikan Sinaloa, një sindikatë e organizuar kriminale transnacionale, e cila është gjithashtu në listën e sanksioneve të OFAC.

Data e sanksionimit: 13 nëntor 2025.

5. REVIVAL OF ISLAMIC HERITAGE SOCIETY, dega në Shqipëri

Statusi: E mbyllur dhe e sanksionuar.

Lokacioni: Tiranë.

Organizata kishte degë të regjistruara edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Programi: Specially Designated Global Terrorist, shkurt SDGT, që do të thotë terrorist global i veçuar posaçërisht.

Veprimtaria: Punë humanitare.

Në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të sigurisë, kryen një bastisje në zyrat e RIHS në Tiranë, për shkak të dyshimeve për lidhje me rrjete ekstremiste.

Pas këtij veprimi, zyra u mbyll përgjithmonë.

Data e sanksionimit: 13 qershor 2008

/Noa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *