Çmimet e karburantit rëndojnë punëtorët ndërkufitarë që udhëtojnë çdo ditë drejt Zvicrës
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve po rëndon buxhetet e mijëra punëtorëve ndërkufitarë që jetojnë në Francë dhe udhëtojnë çdo ditë drejt Zvicrës për të punuar. Situata është veçanërisht e ndjeshme në rajonin e Chablais, ku mungesa e alternativave të përshtatshme të transportit publik i detyron shumë punonjës të përdorin automjetet personale.
Sipas një raportimi të World Radio Switzerland , të publikuar të hënën, më 12 tetor, shumë punëtorë në këtë rajon përshkojnë mbi 10 mijë kilometra në vit vetëm për udhëtimet nga shtëpia në vendin e punës dhe anasjelltas, transmeton Telegrafi.
Kostoja e karburantit përbën një barrë të konsiderueshme, veçanërisht për ata që marrin paga në Zvicër, por përballen me shpenzimet e jetesës në Francë. Rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës ndikon drejtpërdrejt në financat familjare, ndërsa udhëtimet e përditshme në distanca të gjata shtojnë shpenzimet mujore.
Sipas të dhënave të Touring Club Switzerland (TCS), të raportuara në mesin e shtatorit, çmimi i benzinës në Zvicër kishte arritur në rreth 2.05 franga për litër, ndërsa ai i naftës në 2.30 franga për litër. Këto nivele iu afruan rekordeve të regjistruara në vitin 2022.
Një nga vështirësitë kryesore për banorët e Chablais mbetet infrastruktura e pamjaftueshme e transportit publik. Për shumë punonjës, autobusët dhe trenat nuk përbëjnë alternativa praktike, për shkak të lidhjeve të kufizuara me vendet e punës. Për rrjedhojë, përdorimi i makinave personale mbetet i domosdoshëm për një pjesë të madhe të tyre, pavarësisht kostove në rritje.
Problemi i transportit në këtë rajon nuk është i ri, por shtrenjtimi i karburanteve po e bën edhe më të dukshme nevojën për alternativa më të përshtatshme të lëvizjes ndërmjet Francës dhe Zvicrës. Për mijëra punëtorë ndërkufitarë, shpenzimet e udhëtimit po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në menaxhimin e buxhetit familjar. /Telegrafi/
