Çka nëse Bullgaria i detyron maqedonasit me pasaporta bullgare të heqin dorë nga shtetësia e Maqedonisë? profesori zbulon prapaskenat!
Çfarë do të ndodhte nëse Bullgaria kërkon nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë pasaporta bullgare të heqin dorë nga shtetësia maqedonase? Profesori Aleksandër Spasov nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Shën Qirilli dhe Metodi” (UKIM) në Shkup, në një intervistë për TV 24, shpjegon se cili do të ishte efekti nëse Sofja zyrtare bën një hap të tillë me qëllim të rritjes artificiale të numrit të bullgarëve në vend, shifër kjo që sipas regjistrimit të fundit zyrtar doli të jetë vetëm 3.500 persona.
Shifrat jozyrtare tregojnë se numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut që posedojnë pasaportë bullgare sillet nga 120.000 deri në 200.000.
Sipas profesorit Spasov, teorikisht është e mundur që Bullgaria të kërkojë një gjë të tillë, por ky kërkim nuk nënkupton se do të zbatohet automatikisht.
“Bullgaria mund të kërkojë, por Maqedonia mund të refuzojë. Qytetarët nuk mund të vendosin në mënyrë të pavarur për shtetësinë e tyre. Për çështjet që lidhen me fitimin ose humbjen e shtetësisë vendosin shtetet në përputhje me ligjet e tyre,” – shpjegon Spasov.
Nga kjo rezulton se një kërkesë eventuale nga Bullgaria nuk do të mjaftonte që një qytetar maqedonas të humbë automatikisht shtetësinë e tij amtare, pasi për këtë vendosin shtetet përmes procedurave të tyre ligjore.
Pasaporta sjell edhe obligime: Nga shërbimi ushtarak te ndjekja penale
Në lidhje me të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga shtetësia bullgare, profesori Spasov tërheq vërejtjen se personat me pasaporta bullgare nuk marrin vetëm benefite, por edhe obligime të rënda si çdo shtetas tjetër i Bullgarisë:
“Çdo person që ka shtetësi bullgare ka të njëjtat të drejta, por edhe të njëjtat obligime si shtetasit e tjerë bullgarë.”
Si shembull konkret, Spasov përmend se nëse Bullgaria në të ardhmen vendos të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ky obligim do të vlente edhe për shtetasit nga Maqedonia e Veriut që kanë pasaportë bullgare. Po ashtu, ai thekson se këta qytetarë u nënshtrohen ligjeve bullgare sa i përket gjuhës së urrejtjes, fyerjes ose veprave të tjera penale, nëse për këtë ekziston bazë ligjore dhe kompetencë nga ana e Sofjes.
Prandaj, mesazhi qendror i profesorit Spasov mbetet i qartë: Edhe nëse Bullgaria bën një presion të tillë, “Bullgaria mund të kërkojë, por Maqedonia ka të drejtë të refuzojë”, shkruan Zhurnal.mk.
