Chelsea në krizë të thellë, vendos rekordin më të keq në pesë ligat kryesore evropiane
Chelsea po kalon një periudhë mjaft të vështirë sa u përket rezultateve, ndërsa humbja e fundit ndaj Tottenhamit ka bërë që skuadra londineze të vendosë një rekord negativ në futbollin evropian.
Blutë e Londrës u mposhtën me rezultat 2-0 nga Tottenhami në stadiumin “Stamford Bridge”, duke vazhduar ecurinë jo të mirë dhe duke shtuar shqetësimet për formën e skuadrës në muajt e fundit.
Kjo disfatë ishte e 14-ta për Chelsean në të gjitha garat që nga fillimi i muajit mars, një statistikë që e rendit klubin londinez në krye të një liste aspak të dëshirueshme.
Në fakt, asnjë skuadër tjetër nga pesë kampionatet më të forta evropiane, Liga Premier, La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1, nuk ka regjistruar më shumë humbje gjatë kësaj periudhe sesa Chelsea.
Këto shifra pasqyrojnë vështirësitë me të cilat po përballet skuadra londineze, e cila nuk ka arritur të gjejë vazhdimësinë e nevojshme në rezultate, pavarësisht pritshmërive të mëdha për paraqitje më të mira.
Humbja ndaj Tottenhamit ishte gjithashtu e treta për Chelsean në sezonin aktual, duke shtuar presionin mbi skuadrën për të reaguar sa më shpejt dhe për të shmangur vazhdimin e kësaj ecurie negative.
Në anën tjetër, kjo fitore kishte një rëndësi të veçantë për Tottenhamin, që arriti të triumfojë në “Stamford Bridge” për vetëm herën e dytë në kuadër të Ligës Premier gjatë 34 viteve të fundit.
Një statistikë e tillë e bën suksesin e Tottenhamit edhe më domethënës, duke marrë parasysh vështirësitë që kjo skuadër ka pasur historikisht në përballjet në udhëtim ndaj rivalit londinez.
Për Chelsean, ndërkohë, rezultatet e muajve të fundit janë një sinjal shqetësues, ndërsa skuadra do të kërkojë të rikthehet te fitoret dhe të përmirësojë paraqitjet në ndeshjet e ardhshme, në mënyrë që të mos thellohet edhe më shumë kriza e rezultateve. /Telegrafi/
