Mrekulli në Nepal, 6-vjeçarja mbijeton tri ditë e varrosur nën baltë dhe rrënoja
Një histori e jashtëzakonshme mbijetese ka ardhur nga Nepali, ku ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një vajzë 6-vjeçare, e cila kishte qëndruar e bllokuar për tri ditë nën rrënoja pas përmbytjeve shkatërruese që goditën vendin.
Vajza u gjet në zonën e Timures, në distriktin Rasuwa, pasi efektivët e Forcës së Armatosur të Policisë dëgjuan të qarat e saj ndërsa kërkonin persona të bllokuar nga përmbytjet e lumit Bhote Koshi.
Ekipet nisën menjëherë gërmimet dhe, pas një pune të kujdesshme mes baltës, gurëve dhe strukturave të shkatërruara, arritën ta nxirrnin fëmijën të gjallë. Ajo u dërgua fillimisht në një postë kufitare të policisë në Timure, por gjendja e saj u përkeqësua.
Për shkak të errësirës dhe kushteve të këqija atmosferike, evakuimi me helikopter nuk ishte i mundur të premten. Vajza u transportua përfundimisht të shtunën drejt Katmandusë, ku po merr trajtim në spital.
Përmbytjet masive, të shkaktuara pas shembjes së një akullnaje, sollën një dallgë të fuqishme uji, balte, gurësh dhe akulli, duke shkaktuar të paktën 800 viktima në Nepal dhe shtatë në Tibet. Qindra persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur, ndërsa shtëpi, ura, rrugë dhe infrastruktura energjetike janë shkatërruar.
Mbijetesa e 6-vjeçares është kthyer në një rreze shprese mes një prej katastrofave më të rënda natyrore të viteve të fundit në rajon. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, me ekipe nga Nepali, India dhe Kina që po ndihmojnë në gjetjen e të mbijetuarve dhe rikthimin e infrastrukturës së dëmtuar.
"Mucize Bebek"
Nepal’de sel felaketinde enkaz altında yaklaşık 3 gün kalan 6 yaşındaki bir kız çocuğu kurtarıldı. https://t.co/td15st42F6
— Conflict (@ConflictTR) August 30, 2026
