Bill Gates paralajmëron: Përgatituni për 20 vite trazirash, shkak IA!
Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka dhënë një paralajmërim për të ardhmen e tregut të punës, duke deklaruar se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë shumicën e profesioneve që sot kryhen nga njerëzit.
Sipas miliarderit amerikan, teknologjia do të jetë shumë më e lirë, më e shpejtë dhe në shumë raste më e saktë sesa fuqia punëtore njerëzore. Megjithëse zhvillimi i inteligjencës artificiale pritet të sjellë përfitime të mëdha ekonomike, Gates paralajmëron se tranzicioni drejt kësaj epoke të re do të shoqërohet me trazira të konsiderueshme sociale dhe ekonomike.
Ai parashikon se 20 vitet e ardhshme mund të jenë ndër periudhat më të vështira të përshtatjes në historinë e njerëzimit. Në një intervistë për podkastin “Decoder”, Gates deklaroi se përhapja e inteligjencës artificiale do të krijojë fitues dhe humbës, ndërsa miliona punonjës mund të përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës. “Shqetësimi im i madh është kjo periudhë tranzicioni 20-vjeçare, gjatë së cilës do të ketë fitues dhe humbës, si dhe shumë trazira”, u shpreh ai.
