TË FUNDIT

“BIA në panik para zgjedhjeve?” – Avni Islami: Arrestimet në Serbi synojnë të mbulojnë dështimet përballë AKI-së

Arrestimi i dy grave serbe nën dyshimet për spiunazh në Vranjë dhe Jagodinë ka rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjen e pretenduar të strukturave të sigurisë serbe me shërbimet inteligjente të Kosovës. Autoritetet serbe pretendojnë se të dyshuarat kanë mbledhur dhe përcjellë të dhëna për pjesëtarë aktivë të BIA-s te shërbimet e inteligjencës së Shqipërisë dhe strukturat e inteligjencës në Kosovë.

Eksperti i sigurisë Avni Islami, në një reagim të tij në Facebook, e lidh këtë zhvillim me afrimin e zgjedhjeve në Serbi, duke vlerësuar se Kosova po përdoret gjithnjë e më shumë si instrument politik nga aktorët në Beograd.

Sipas Islamit, aksioni i fundit duhet parë edhe në kontekstin e përpjekjeve të BIA-s për të rikuperuar reputacionin e saj dhe për të paraqitur rezultate para lidershipit politik serb, përcjell “Bota sot”.

Islami ngre pretendime të forta edhe për një seri dështimesh operative të BIA-s në raport me AKI-në, duke thënë se zbulimi i bashkëpunëtorëve të shërbimit serb në Kosovë ka krijuar, sipas tij, krizë kredibiliteti për strukturat e sigurisë në Beograd.

Reagimi i plotë

Sa më shumë që afrohen zgjedhjet në Serbi, Kosova po shndërrohet në kartën kryesore elektore jo vetëm për pushtetin e Vuçiqit, por edhe për opozitën dhe organizatat studentore në Beograd. Përdorimi i Kosovës si instrument për fushata elektore në Serbi ka marrë përmasa të reja, duke përfshirë kësaj radhe edhe aparatin e sigurisë. Arrestimi i dy qytetareve të komunitetit serb në Vranjë dhe Jagodinë nën dyshimet për spiunazh po shihet si një tentativë e dëshpëruar e Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) për të rikuperuar reputacionin e humbur përballë Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjatë vitit të kaluar dhe përgjatë këtij viti, inteligjenca serbe (BIA) ka pësuar dështime të njëpasnjëshme operative në raport me AKI-në në Kosovë. Burime brenda sektorit të sigurisë bëjnë me dije se BIA ka humbur një numër të bashkëpunëtorëve dhe agjentësh të saj në territorin e Kosovës, të cilët janë zbuluar dhe neutralizuar me sukses nga shërbimi inteligjent kosovar. Kjo ka krijuar një krizë të thellë kredibiliteti për strukturat e sigurisë në Beograd.

Për të krijuar një balancë artificiale dhe për të dëshmuar “sukses” para lidershipit politik, BIA ka targetuar dy qytetare serbe. Sipas mediave në Serbi, të cilat citojnë agjencinë Tanjug, ato dyshohet se kanë grumbulluar dhe dorëzuar të dhëna për pjesëtarë aktivë të BIA-s te strukturat e inteligjencës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Fakti që njëra nga të arrestuarat është me origjinë nga Shillova e Gjilanit dhe operacioni është shtrirë në Vranjë, konfirmon se Beogradi po përpiqet t’i japë rastit një dimension të rrezikshëm sigurie në brezin kufitar Serbi-Kosovë.

Ky aksion i fundit tregon se përballë profesionalizmit të AKI-së, Beogradi zyrtar nuk ka mbetur me asnjë armë tjetër përveç inskenimeve mediatike për konsum të brendshëm politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *