Axios: SHBA-ja kërcënoi ta ndërpresë ndarjen e inteligjencës me Ukrainën për shkak të sulmeve ndaj rafinerive ruse
Të dërguarit e presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dyshohet se kanë kërcënuar delegacionin ukrainas me ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, nëse Kievi vazhdon sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi.
Sipas Axios, që citon një zyrtar ukrainas, gjatë bisedimeve përfaqësuesit amerikanë paralajmëruan se Trump mund t’ia ndërpriste Ukrainës qasjen në inteligjencën amerikane, nëse ajo vazhdonte të mos i përfillte kërkesat e tij për ndalimin e sulmeve, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, një zyrtar amerikan i mohoi këto pretendime, duke thënë se Witkoff dhe Kushner u kishin kujtuar ukrainasve se SHBA-ja është një partner i besueshëm, i cili u siguron atyre municione dhe informacione të inteligjencës. Sipas tij, Ukraina duhet të shmangë veprimet që dëmtojnë konsumatorët amerikanë.
“Sulmet ndaj rafinerive shkaktojnë dëme në Rusi, por shkaktojnë dëme edhe në SHBA”, deklaroi zyrtari amerikan.
Sipas Axios, Trump vendosi të arrinte një marrëveshje me Rusinë për furnizimin me karburant dizel pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kishte shpërfillur gjashtë kërkesa amerikane për ndalimin e sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës.
Më 9 tetor, Trump njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se kishin rënë dakord për furnizimin me miliona tonë karburant dizel rus, për tregun amerikan dhe atë global.
Ndërkohë, bisedimet mes përfaqësuesve ukrainas, evropianë dhe amerikanë përfunduan më herët se sa ishte planifikuar. Takimet në Miami pritej të zgjasnin dy ditë, por përfunduan para kohe, ndonëse Witkoff i cilësoi ato si produktive. /Telegrafi/
