POLITIKATË FUNDIT

Avokati “shpërthen” me akuza të forta ndaj ministres serbe: Po promovon retorikë të rrezikshme!

Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë vitit 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Duke komentuar këtë çështje, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se Bashkimi Evropian nuk komenton deklarata individuale të zyrtarëve politikë. Megjithatë, ajo nënvizoi se qëndrimi i BE-së është i qartë dhe i pandryshueshëm: në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon, promovon apo relativizon spastrimin etnik ose krimet e luftës.

Hipper theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut, pajtimi rajonal dhe promovimi i paqes mbeten vlera themelore të Bashkimit Evropian, ndërsa çdo deklaratë që bie ndesh me këto parime është e papranueshme.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar Spartak Ngjela.

Ai tha për gazetën se reagimi i Bashkimit Evropian tregon se BE-ja e konsideron luftën e Kosovës si të drejtë dhe refuzon narrativat apo politikat e Serbisë që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

“Kjo tregon se Bashkimi Evropian i qëndron luftës për çlirimin e Kosovës si një luftë e drejtë, dhe brenda të drejtave të njeriut – sepse ajo ka qenë nje luftë për çlirim kombëtar.

Prandaj kuptohet se politika e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është krejt e papranueshme nga Bashkimi Evropian”, u shpreh ai.

Duke vazhduar avokati shton se deklarata e ministres pasqyron, sipas tij, vazhdimësinë e politikave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa e paraqet pavarësinë e Kosovës si një fitore historike të shqiptarëve ndaj sundimit serb.

“Ky ministër kuptohet se është një nga mbetjet pa vlerë të Sllobodan Milosheviçit.

Prandaj, kjo është prapambetja mendore e serbëve, të cilët kanë dy shekuj që po flasin marrëzira kundër shqiptarëve.

Kosova tani quhet mbajtësja e trofeut historik të popullit shqiptar, kundër një pushtuesi të egër dhe shekullor të Dardanisë.

Kurse dihet sot që shqiptaria është duke përjetuar suksesin e madh historik të saj”, përfundoi Ngjela për “Bota sot”.

Kujtojmë që reagimet kanë qenë të mëdhaja gjatë tërë ditës në lidhje me këtë deklaratë, duke dënuar ashpër Serbinë.

E së fundmi Kosova edhe e shpalli ‘non grata’ ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *