ASH: Dimitrievski, “patriot me bateri kineze” – i janë harxhuar kartat politike!
Aleanca për Shqiptarët ka ironizuar ashpër kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, duke e quajtur atë “patriot me bateri kineze”. Në një komunikatë, ASH vlerëson se paralajmërimet e Dimitrievskit për largim të mundshëm nga Qeveria, për shkak të çështjes së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhë tjetër nga maqedonishtja, lidhen me përpjekjet e tij për të fituar pikë politike para zgjedhjeve të mundshme të parakohshme parlamentare. Sipas ASH-së, Dimitrievski po përpiqet ta shfrytëzojë këtë çështje në fushatën parazgjedhore, për t’u paraqitur si patriot i madh. Partia ironizon se atij i kanë mbetur pak tema për t’i përdorur në fushatë, duke përmendur kthimin e emrit të shtetit, transportin publik falas dhe rikonstruktimin e sheshit të qytetit. “Dimitrievski i ka shpenzuar të gjitha kartat e tjera politike dhe tani po përpiqet ta përmirësojë rejtingun për një për qind duke hapur çështjen e provimit të jurisprudencës”, thuhet në reagimin e ASH-së. “Lojë e lexuar!”, përfundon komunikata e partisë.
