Rama për miratimin e Deklaratës së Kuvendit: Kosova foli me një zë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se Kosova foli me një zë.
“Sot, përballë një çështjeje që prek historinë tonë, luftën për liri dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, Kosova foli me një zë”, ka shkruar Rama.
Rama ka thënë se uniteti institucional në miratimin e Deklaratës së Kuvendit ishte jetik.
“Kur bëhet fjalë për luftën çlirimtare, për sakrificën e një populli dhe për të vërtetën historike të Kosovës, dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se përgjegjësia jonë e përbashkët”, ka shkruar Rama.
Sipas Ramës, “mbi partitë është shteti” dhe “mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike”.
“Drejtësia kërkon drejtësi. Historia kërkon të vërtetën. Ndërsa Kosova, kur preken themelet e lirisë së saj, duhet të dijë të qëndrojë e bashkuar”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se Kuvendi e dha këtë mesazh dhe se ai duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës.
