Asgjë e re nga fronti i Shkupit: Kur shoqatat e gjuetarëve dhe të peshkatarëve kanë më shumë himn e flamur se shqiptarët
Deklaratat e koalicionit VLEN për “momente historike” dhe “bashkim politik” në kongresin e djeshit mbeten thjeshtë propagandë dhe demagogji kur ato zhvishen nga simbolet elementare të identitetit shqiptar. Përdorimi i datës simbolike të Evropës nuk mund të shërbejë si retorikë e as si mbulesë për këtë akt të rëndë dhe të dëmshëm politik: mosintonimin e himnit kombëtar shqiptar.
Intonimi i himnit në tubime të këtij niveli nuk është thjesht protokol; është dëshmi e autoktonisë historike, shpirtërore dhe politike. Këto simbole shërbejnë si një kontratë morale me votuesin, duke konfirmuar se rrugëtimi drejt BE-së nuk nënkupton tjetërsimin, tëhuajsimin apo dorëzimin e shtyllave të identitetit tonë shqiptar. Kur heshtet himni dhe çalon përdorimi i gjuhës shqipe, lind pyetja, vërtetë lindë dyshimi logjik mbi peshën, seriozitetin dhe integritetin e këtij përfaqësimi.
Nëse një subjekt politik shqiptar nuk gjen guximin apo vullnetin për të respektuar simbolin suprem të kombit në shtëpinë e vet, sa mund të besojmë se këta do të jenë gardianë serioz të interesave shqiptare jetike në tryezat e pushtetit?
Nëse sot po heshtet himni (dhe flamuri) për hir të matematikave politike, çka tjetër do të “harrohet” nesër në emër të pushtetit e salltanetit?
Duhet kujtuar lexuesve se himni dhe flamuri serb, bullgar, turk e lloj lloj himne e flamuj të pakicave tjera, dëgjohen, këndohen dhe reklamohen edhe në shoqatat e tyre të gjuetarëve e të peshkatarëve, ndërsa në kongresin e një “aleance shqiptare”, himni dhe flamuri kuq e zi i shqiptarëve autokton përbuzet, largohet, injorohhet dhe “harrohet.”
Të dashur lexues,
Në shkencat politike dhe retorike, himni dhe simbolet kombëtare nuk janë thjeshtë dekor, të moçme, teprica e as salltanet. Ato janë dëshmi e identitetit politik, kulturor, historik dhe “kontrata morale” që një udhëheqje e lidhë me popullin e vet.
Konsekuent deri në fund: nëse koalicioni VLEN nuk arriti të këndoj dje as një minut himn për t’u dhënë nderim, jo vetëm votuesve të vet, por shqiptarëve autokton në Maqedoninë e Veriut, atëherë shtroj pyetjen, si mund të besojmë se kjo aleancë do të ketë forcën të “këndoj” zërin e shqiptarëve në kancellaritë e pushtetit të Shkupit, aty ku vendoset për fatin e kombit shqiptar në MV?
