TË FUNDIT

Arrestohet në Shkup Bilal Kara i “Sante Plus”, biznismeni turk i shëndetësisë private

Bilal Kara, pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, është arrestuar në Shkup të Maqedonisë së Veriut, sipas raportimeve të medieve në Shkup .

Në anën tjetër, sipas medieve në Tiranë, Bilal Kara ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadrin e hetimeve për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore atje, ndaj të cilit ishte lëshuar mandat arresti. Media rajonale kishte raportuar më parë se Tirana zyrare e ndiqte atë me mandat ndërkombëtar arresti, ndërsa ai mbetej në arrati jashtë vendit.

Arrestimi i tij në Maqedoninë e Veriut shënon një zhvillim të rëndësishëm në skandalin e gjerë të “Sante Plus”, një nga skandalet më të ndjekura të shëndetësisë në Shqipëri të viteve të fundit, i cili fokusohet në pretendimet për transaksione mashtruese me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të shtetit.

Pritet që autoritetet shqiptare të nisin procedurat e ekstradimit, ashtu që Bilal Kara e tjerët të përballen me akuzat që ja vë mbi supe drejtësia shqiptare, ndonëse, sipas raportimeve, duket se këta mund të kenë punë edhe me drejtësinë maqedonase.

Çështja ka tërhequr vëmendjen e publikut mbi funksionimin e sektorit privat të shëndetësisë dhe kontratat e tij me institucionet e shtetit, kurse ditëve në vijim priten zhvillime të mëtejshme.

Përfshirje e gjërë e politikës e biznesit

Media shkupjane “Albeu” raporton se këto arrestime janë bërë në kuadër të një aksioni të gjërë të autoriteteve maqedonase që lidhen me abuzime në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në këtë vend. Në këtë kuadër, thuhet në këtë raportim, se mund të jenë proceduar edhe udhëheqës e ish-udhëheqës të këtij institucioni publik maqedonas e të biznesit privat me kapital turk.

Duke u thirrur në burime jozyrtare, Albeu raporton se mund të jetë proceduar edhe Ridvan Asani, kuadër i BDI-së së Ali Ahmetit, ish-drejtues në fondin maqedonas të sigurimeve shëndetësore. Pastaj, Vesna Qamillova, ish-menaxhere në Sante Plus e Cveten Serafimovski e Zhaklina Stamenkova, ish-zyrtarë të fondit maqedonas e Irena Popovska, zyrtare në degën e fondit maqedonas në Shkup.

Në anën tjetër, autoritetet shqiptare ka kohë që janë vënë në kërkim të biznesmenit turk Bilal Kara e bashkëpunëtoren e tij shqiptare Geriana Arapi. “ Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. “, raporton sot Panorama nga Tirana.

Bilal Kara kishte biznese gjithandej

Bilal Kara është prezent me bizneset e tij edhe në Kosovë. Që prej vitit 2010, i njejti i ka regjistruar disa biznese në me brendin “Sante Plus” në vendin tonë. Si përfaqësues të këtyre bizneseve tek ne, sipas të dhënave publike nga regjistri tregtar (ARBK), figurojnë: Zejnel-Abidin Ustaibo, Albana Fetiu. Në njërin nga bizneset me status “pasiv”, si bashkëpronarë figuron familjari i tij Behçet Kara (me shtetësi të Koovës?!), kurse si përfaqësuese Ariana Krasniqi.

Gjithashtu, bizneset e Bilal Kara kanë prezencë edhe në Shqipëri, ku përfaqësohet nga Geriana Arapi, për dallim nga Kosova, ku si përfaqësuese figuron Albana Fetiu.

Bizneset e Bilal Kara kanë shtrirje edhe në Maqedoninë e Veriut. Në së paku njërën nga to, si bashkëpronare, në krah të Bilal Kara, figuron edhe Vesna Qamilova e përmendur sot në raportime si një nga të proceduarat.

Raportime të më hershme në mediet në Kosovë

Mediet në Kosovë disa herë më parë kanë raportuar për të bëmat e këtij biznesi turk në vendin tonë. Biznesi privat në fushën e shëndetësisë “Sante Plus”, sipas burimeve tona, deri para pak kohe, operonte në Prishtinë në një objekt shumëkatësh në lagjen “Pejton” të kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *