Arrestimi për lopën; fermeri Hashim Miftari denoncon penalisht prokurorin Blerim Igrishta, kërkon hetim nga Prokuroria Speciale
Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se sot klienti i tij, Hashim Miftari, ka dorëzuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës në Prishtinë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta.
Sipas Gashit, kallëzimi penal është ngritur nën dyshimet për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “privim i kundërligjshëm i lirisë”, ndërsa ka kërkuar që rasti të trajtohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Avokati ka pretenduar se procedura penale ndaj prokurorit lidhet me arrestimin e klientit të tij, Hashim Miftari, si dhe dërgimin e tij në ndalim për 48 orë. Sipas tij, Miftarit nuk i ishte lejuar të kishte avokat mbrojtës gjatë intervistimit në Policinë e Kosovës në Graçanicë, ndonëse ai kishte kërkuar mbrojtje ligjore.
Rasti për të cilin ishte intervistuar Miftari kishte të bënte me dyshimet për dëmtim prone, pasi, sipas pretendimeve të paraqitura nga mbrojtja, lopa e tij kishte hyrë për kullotje në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.
Gashi ka paralajmëruar se në ditët në vijim do t’u drejtohen edhe institucioneve të tjera përgjegjëse, përfshirë Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorit të Shtetit, Avokatit të Popullit dhe organeve të tjera kompetente, me kërkesën që të ndërmarrin veprime juridike brenda kompetencave të tyre lidhur me këtë rast.
