TË FUNDIT

Muhaxheri për takimet e drejtoreshës së QPS-së me Arlinda Zekajn: Nuk kam informacione nëse janë takuar

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka raportuar në Komisionin Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit, ai është pyetur nëse drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale (QPS) ishte takuar me Arlinda Zekajn.

Muhaxheri ka thënë se, meqë ato janë bashkëfshatare, mund të jenë takuar, por se nuk ka informacione nëse kjo ka ndodhur para rastit të vrasjes.

“Ajo e ka bashkëfshatare, me siguri janë taku, por deri sa ka ndodhur rasti nuk kam informacione”, tha Muhaxheri.

Kreu i Pejës u pyet edhe se cili ishte veprimi i tij i parë pasi kishte marrë vesh për rastin e vrasjes së Zekajt.

Muhaxheri tha se fillimisht ishte informuar përmes mediave, ndërsa më pas kishte kërkuar informacione nga asistentja ose shefi i kabinetit.

“Prej mjeteve të informimit. Kam kërku informata prej asistentes ose shefit të kabinetit. Ka deklaru që ka ndodh një rast tragjik”, deklaroi ai.

Ndërkaq, i pyetur nëse pas rastit kishte kërkuar nga Qendra për Punë Sociale informacione për ecurinë e punës, Muhaxheri tha se kishte pritur raportin zyrtar, për të mos ushtruar presion ndaj institucionit.

“Pa ardhë raporti nuk kom dasht me i bo presion, kanë pas obligime ligjore ndaj Prokurorisë”, shtoi ai.

Më 29.10.2026, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Arlinda Zekaj u vra më 25.10.2026, në Vitomiricë të Pejës.

I dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është arrestuar pas dy ditësh në arrati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *