Ardian Gjini ngushëllon familjen Rexha për ndarjen nga jeta të Argjirit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Rexha, pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Argjir Rexhës, aktivist i ditëve të para të Aleancës.
Në telegramin e ngushëllimit, Gjini ka shprehur pikëllimin për humbjen e Argjir Rexhës, duke vlerësuar kontributin e tij në rrugëtimin e Aleancës, si dhe angazhimin e tij në fushën e biznesit.
“Argjiri do të kujtohet gjithmonë si një aktivist i ditëve të para, i cili me një vullnet të palodhur, vizion të qartë dhe idealizëm dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin tonë të përbashkët”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini.
Gjini ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e Rexhës si ndërmarrës dhe menaxher, duke theksuar kontributin e tij në gastronominë e Prishtinës dhe në fushën e shpedicionit dhe procedurave doganore, si dhe përkrahjen e bizneseve vendore dhe zhvillimin lokal.
Ai ka theksuar se Argjir Rexha do të kujtohet për mirësinë, sinqeritetin, besnikërinë dhe gatishmërinë e tij për të kontribuar, ndërsa humbjen e tij e ka cilësuar si të rëndë për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët.
Në fund, kryetari i Aleancës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Rexha, miqve dhe të gjithë kolegëve e bashkëpunëtorëve të Argjir Rexhës.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Ardian Gjinit.
