Apple rikthen produktet në ngjyrën e kuqe
Sipas një raporti të ri të Mark Gurmanit nga Bloomberg, Apple planifikon që javën e ardhshme të prezantojë disa versione të reja të pajisjeve të saj në ngjyrën e kuqe, si pjesë e koleksionit (Product) RED.
Duke iu referuar burimeve të afërta me këtë çështje, Gurman thotë se Apple do të sjellë versione të kuqe të pajisjeve të prezantuara së fundmi, HomePod mini 2 dhe AirPods Max 2. Pritet që HomePod mini 2 të ketë pjesën e jashtme tërësisht të kuqe.
Ndërkaq, versioni (Product) RED i AirPods Max 2, sipas raportimeve, do të ketë vetëm rrotëzën “Digital Crown” në ngjyrë të kuqe, ndërsa pjesa tjetër e kufjeve do të jetë në ngjyrë argjendi, me jastëkë dhe shirit koke të bardhë.
Gurman bën të ditur gjithashtu se Apple po punon për një rrip të kuq për AirPods dhe një byzylyk të kuq për Apple Watch Sport Band. Të dy produktet mund të prezantohen javën e ardhshme.
Apple bashkëpunon me markën (RED), bashkëthemelues i së cilës është këngëtari i grupit U2, Bono, që nga viti 2006. Kompania ka dhuruar një pjesë të të ardhurave nga shitja e pajisjeve të koleksionit (Product) RED për Fondin Global për Luftën kundër AIDS-it, përfshirë edhe përmes programit të donacioneve me Apple Pay.
Megjithatë, Apple nuk ka prezantuar prej disa vitesh ndonjë produkt të ri harduerik në edicionin (Product) RED. Duke qenë se Dita Botërore e Luftës kundër AIDS-it shënohet më 1 dhjetor, Gurman pret që kompania t’i prezantojë produktet e reja pikërisht në këtë datë. /Telegrafi/
