AGK dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Jeton Sopa pranë Kuvendit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit të portalit “Kosova News”, Jeton Sopa, i cili është penguar gjatë kryerjes së detyrës së tij profesionale pranë objektit të Kuvendit të Kosovës.
AGK-ja ka shprehur shqetësim për incidentin dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në ngjarjet e sotme që të respektojnë punën e ekipeve mediale dhe të mos i pengojnë ato në asnjë mënyrë gjatë raportimit.
Sipas AGK-së, Sopa është shtyrë fizikisht nga disa persona gjatë protestës së zhvilluar jashtë ndërtesës së Kuvendit, në kohën kur brenda po mbahej seanca e jashtëzakonshme.
Sipas pamjeve të publikuara nga incidenti, njëri prej protestuesve e ka goditur gazetarin në kokë me shuplakë, ndërsa më pas një person tjetër e ka shtyrë dhe penguar gjatë kryerjes së detyrës së tij ku dhe gazetarit i është kërkuar të largohej nga vendi i protestës.
Në pamjet e publikuara shihet edhe një person i veshur me veshje të veteranëve të UÇK-së.
AGK-ja ka kërkuar që gazetarët dhe ekipet mediale të lejohen të kryejnë punën e tyre pa pengesa dhe pa ndërhyrje fizike gjatë raportimit në terren.
