Afati për Presidentin skadon sot
Sot, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot. Deri në përfundimin e këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.
Çështja e zgjedhjes së Presidentit ka qenë në qendër të zhvillimeve politike gjatë javëve të fundit, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për kandidatin dhe votat e nevojshme.
Pas disa takimeve, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishin dakorduar për Bekim Sejdiun si kandidat për President, por marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së dhe Sejdiu më vonë u tërhoq nga kandidatura. Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar votimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime, ndërsa më pas të diskutohet për gjetjen e një kandidati konsensual për President.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua dje në lexim të parë, por deri tani nuk ka marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.
