Abdixhiku–Osmani “bashkim” i kontestuar, Aliçkaj paralajmëron krizë të re në LDK
Veprimtari Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me tensione të brendshme në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka thënë se rikthimi i Vjosa Osmani në parti ka thelluar mospajtimet mes Lumir Abdixhiku dhe figurave të rëndësishme si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi.
Aliçkaj ka cilësuar se pakënaqësia e tyre është e kuptueshme, pasi Osmani është rikthyer në pozita të larta pas një periudhe jashtë partisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një situatë të ndërlikuar politike në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit. Mospajtimet ndërmjet kryetarit Lumir Abdixhiku dhe disa prej figurave më të rëndësishme të partisë ishin të dukshme edhe para rikthimit të ish-presidentes Vjosa Osmani në LDK. Me ardhjen e saj, këto tensione janë thelluar dhe rrezikojnë të shndërrohen në përçarje serioze.
Pakënaqësia e anëtarëve të vjetër të LDK-së, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Agim Veliu e të tjerë, është e kuptueshme. Ndërkohë që ata kanë vazhduar kontributin e tyre brenda partisë, znj. Osmani, që nga viti 2020, provoi rrugën e saj politike jashtë LDK-së. Vetëm pasi nuk arriti suksesin e pritur, ajo u rikthye bashkë me grupin e saj, duke zënë pozita të rëndësishme para figurave që kishin qëndruar besnike ndaj partisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kandidatët që kundërshtuan rikthimin e Osmanit janë vendosur në pozita më pak të favorshme, ndërsa përpjekja e Abdixhikut për ta paraqitur këtë si një “bashkim të madh” nuk është bindëse dhe shihet më shumë si një marrëveshje e interesit personal.
“Lista e kandidatëve për deputetë nuk duket se pasqyron realitetin dhe meritokracinë brenda partisë, por më shumë interesat personale të disa figurave jokonsekuente. Veçanërisht problematike shihet mënyra se si janë trajtuar kandidatët që kishin kundërshtuar rikthimin e znj. Osmani në LDK, duke u renditur në pozita më pak të favorshme.
Përpjekjet e z. Abdixhiku për ta paraqitur këtë zhvillim si një “bashkim të madh” dhe konsolidim të së djathtës në Kosovë nuk duken bindëse. Nga një këndvështrim i paanshëm, ky bashkëpunim perceptohet më shumë si një interes personal i dy politikanëve të përballur me sfida politike, sesa si një projekt serioz partiak apo shtetëror. Dështimet e tyre politike lidhen ngushtë me raportet që kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti”, ka deklaruar ai.
