POLITIKATË FUNDIT

AARC nga Uashingtoni me mesazh të prerë për Kosovën: Urime Presidentes, por keni punë urgjente me SHBA-në!

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka uruar zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar këtë si një hap vendimtar për shmangien e krizave kushtetuese, ndërsa ka dërguar një apel të prerë te udhëheqësit politikë për rikthimin e menjëhershëm të dialogut strategjik me SHBA-në.

Në deklaratën e tyre zyrtare, AARC nënvizoi rëndësinë e stabilizimit të institucioneve dhe përqendrimit në prioritete kombëtare që janë lënë pas dore. MESAZHI I PLOTË I AARC-së:

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) uron Republikën e Kosovës për zgjedhjen e suksesshme të Presidentes Pula — një zhvillim i mirëpritur që shpëtoi vendin nga një tjetër krizë kushtetuese dhe nga perspektiva e paqëndrueshmërisë së mëtejshme politike e trazirave sociale.

I shprehim urimet tona më të sincerta Presidentes Pula dhe i urojmë asaj çdo sukses gjatë marrjes së kësaj përgjegjësie të rëndësishme. Shpresojmë se presidenca e saj do të shënojë fillimin e një periudhe me stabilitet më të madh institucional, bashkëpunim politik dhe përkushtim të ripërtërirë ndaj interesave kombëtare afatgjata të Kosovës. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme institucionale, Kosova duhet tani ta kthejë vëmendjen te prioritete urgjente kombëtare që janë lënë pas dore për një kohë të gjatë.

Më kryesorja ndër to është nevoja urgjente për rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Në një kohë kur Serbia ka bërë hapa të rëndësishëm diplomatikë në Uashington, ka nisur dialogun e saj strategjik me SHBA-në dhe ka intensifikuar përpjekjet për të ndryshuar narrativën ndërkombëtare rreth konflikteve të viteve ’90, Kosova nuk mund t’i lejojë vetvetes ngecje të mëtejshme diplomatike.

Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Kjo marrëdhënie, e ndërtuar mbi sakrificën e përbashkët dhe përkushtimin historik amerikan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Kosova duhet gjithashtu të fuqizojë partneritetet e saj strategjike me aleatët e NATO-s, BE-së dhe partnerë të tjerë kyç ndërkombëtarë. Kjo do të kërkojë vendime të vështira, udhëheqje të përgjegjshme, koordinim më të madh dhe gatishmëri për të vendosur interesat kombëtare afatgjata mbi kalkulimet politike afatshkurtra.

Liderët politikë në të gjithë spektrin duhet të kuptojnë se mbrojtja e sovranitetit të Kosovës, avancimi i pozitës së saj ndërkombëtare, forcimi i sigurisë dhe garantimi i të ardhmes euro-atlantike kërkojnë më shumë se thjesht deklarata përkushtimi. Ato kërkojnë veprime konkrete, disiplinë diplomatike dhe një vizion të qartë strategjik.

AARC mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për mbështetjen e zhvillimit të vazhdueshëm të Kosovës si një shtet sovran, demokratik, i sigurt dhe i integruar ndërkombëtarisht.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *