Lubonja: Rama po përdor ndërkombëtarët për eliminimin e Kurtit si pengesë për pushtet
Publicisti Fatos Lubonja ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po përdor ndërkombëtarët për ta eliminuar homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, si alternativë pushteti.
Sipas Lubonjës, Rama e sheh Kurtin si pengesë për pushtetin e tij.
Ai ka shtuar se kryeministri shqiptar do të duhej të ishte më afër Kosovës në këtë krizë, pasi sipas tij, ai po e bën të kundërtën.
“Politikat e Ramës në vend që të jenë politika që edhe Kushtetuta shqiptare ia dikton, por edhe historia, kultura e përbashkët, mbledhjet me qeveritë ia diktojnë që do të duhej të ishte shumë më afër Kosovës në këtë krizë. Ai ka bërë të larguarin se po punon për ndërkombëtarët, por thelbi është ky që po punon për veten, për pushtetin e tij, duke u fuqizuar dhe po përdor ndërkombëtarët për ta eliminuar Kurtin si alternativë pushteti. Për të zotëruar gjithë hapësirën shqiptare ai vetë, sistemi i tij dhe Kurti është një si pengesë për pushtetin e tij. Po i shfrytëzon ndërkombëtarët. Mundësisht Kurti duhet konsideruar si fajtori i krizës dhe ky si zgjidhësi i krizës. Ky është thelbi i qëndrimit të Ramës, është luftë për pushtet në zonën shqiptare”, ka thënë ai të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.
Lubonja ka komentuar edhe deklaratën e ministres së Jashtme të Kosovës në Forumin e Dubrovnikut të shtunën, e cila tha se Bashkimi Evropian është “tigër prej letre”.
Sipas tij, Gërvalla do të duhej të kritikonte ndryshe pa e përdorur atë term.
“Donika Gërvalla besoj se nuk duhet ta thoshte ‘tigër prej letre’ direkt, por diplomatikisht duhej në njëfarë mënyre t’ua vinte në dukje. Jam për atë që duhet ngresh kokë kur ke të drejtë sepse edhe ashtu të shkelin me këmbë. Nuk them që të prishemi, por brenda vizionit mund të thuash që je gabim”, ka thënë ai.