POLITIKATË FUNDIT

Presidenti i Kroacisë: Kosova realitet, Serbia në situatë skizofrenike

Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se Kosova është një shtet i pavarur në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një deklarate të përbashkët me presidentin Bajram Begaj, Milanoviq thekson se Kosova është një realitet i pakontestueshëm, ndërsa Serbia ndodhet në një situatë politike skizofrenike, të dyjëzuar.

“Nga njëra anë kanë fantazi mbi raportet me Rusinë, në të cilën Serbia është thjesht vetëm një etiketë e vogël dhe nga ana tjetër pretendojnë se duan të futen në Bashkimin Evopian”- thotë i pari i shtetit kroat.

Sipas Milanoviqit, ajo çka përbën interes është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovë-Serbi.

“Kosova është në rrugën e duhur”, thotë udhëheqësi kroat, duke shtuar se megjithëse kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare, Kroacia është e prirur të ketë marrëdhënie dhe kontribuojë me të dyja.

“Kosova është një realitet. Numri më i madh i vendeve të BE-së dhe NATO-s e kanë pranuar, disa vende nuk e kanë pranuar, por po t’i pyesësh “pse nuk e kanë pranuar” as ato vetë nuk dinë ta argumentojnë arsyen pse.

Ndonjëherë kjo është e mirë, ndonjëherë e rrezikshme, dhe ndonjëherë njerëzit sillen sipas shprehisë. Shprehitë janë të ndryshme.

Kroacia e ka pranuar Kosovën. Ky është një realitet. Do bëjmë çdo gjë që të mundemi dhe asnjëherë me synimin për të provokuar Serbinë, por me synimin që t’i ndihmojmë sa të jetë e mundur. E dimë që është e vështirë, por duam t’i bindim që Kosova është një realitet.

Pra nuk është e shëndetshme të kemi një stil patronazhues, mentorues për të bindur një vend që ajo çfarë ne po bëjmë është në interesin e tyre. Flas këtu për Serbinë.

Unë nuk dua të vlerësoj çfarë është në interesin e tyre pasi nuk jam president apo qytetar i Serbisë, por realiteti është i tillë që Kosova është pjesë e Evropës dhe në një të ardhme jo shumë të largët do të njihet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, dhe që tani Serbia gjendet këtu në një situatë skizofrenike. Nuk dua të jap aluzione klinike, por ndodhet në një situatë politike skizofrenike, e dyjëzuar.

Nga njëra anë kanë fantazi mbi raportet me Rusinë, në të cilën Serbia është thjesht vetëm një etiketë e vogël dhe nga ana tjetër pretendojnë se duan të futen në Bashkimin Evropian.

Natyrisht çështja e Kosovës është e pandarë dhe rruga drejt pranimit të këtij realiteti do të çonte Serbinë drejt rrugës së duhur. Ne duam t’i çojmë drejt rrugës së duhur jo greminës.

Pra edhe njëherë e them se nuk dua të vendos çfarë është në interesin e Serbisë, tani të mos keqkuptohemi… Por shoh interesin tonë dhe interesi ynë, por edhe i Shqipërisë natyrisht, është dialogu, normalizimi i raporteve mes dy vendeve Kosovë-Serbi dhe pastaj të shohim si do të mbarojë kjo.

Ne nuk duhet të jemi gjysmak në atë që themi apo duam të bëjmë. Ajo çka dua të them është se ne flasim, tentojmë raporte të mira, por Kosova – edhe pse duhet durim këtu – Kosova është në rrugën e duhur.

Natyrisht unë këtu nuk ju drejtohem si presidenti i Kosovës, por i Shqipërisë, dy shtete të të ndara. Si të tilla i njohim, si të tilla i shohim, me të dyja do të kemi marrëdhënie dhe te të dyja do të kontribuojmë”, tha i pari i shtetit kroat. /tch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *