Rrahmani përballet me Kurtin për edukimin seksual në shkolla
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka ngritur sot çështjen e përfshirjes së temave për orientimet seksuale në shkolla, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të sqarojë arsyet e promovimit të këtyre temave në sistemin arsimor.
Rrahmani fillimisht kërkoi që të respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe e drejta e deputetëve për të bërë pyetje dhe për të diskutuar çështje që lidhen me dokumentet dhe angazhimet e trajtuara në Kuvend, raporton KosovaPress.
Duke iu drejtuar kryeministrit Kurti, ai rikujtoi se në paraqitjen e punës katërvjeçare të Qeverisë, ndër të arriturat në arsim ishte përmendur edhe përfshirja e mësimit për orientimet seksuale në shkolla.
“Ju e konsideroni arritje kryesore, në fakt, në arsim që fëmijëve t'u paraqiten si vlerë civilizuese ideja se njeriu mund të zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë, përfshirë me një person të së njëjtës gjini. Kryeministër, përse ua ofroni këtë fëmijëve të këtij vendi?”, pyeti Rrahmani.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti tha se për çështjen e doracakut për të cilin ishte zhvilluar debat publik, ai kishte dhënë sqarime edhe më herët, duke iu referuar një video-adresimi të publikuar më 17 nëntor 2024.
“Është gjithmonë mirë të flitet për arsimin dhe të drejtat e njeriut, dy fusha që kërkojnë jo vetëm vëmendje, por mbi të gjitha një kuptim të thellë dhe të saktë të dokumenteve dhe standardeve”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se nuk kishte diçka të re për të shtuar lidhur me këtë çështje, duke iu referuar sqarimeve të dhëna më parë.
Ndërkaq, duke iu përgjigjur pjesës për arritjet në arsim gjatë mandatit të tij, Kurti përmendi arsimin publik pa pagesë në nivelin bachelor dhe master, bursat për studentët, mbështetjen për vajzat në fushat STEM, si dhe investimet në edukimin e hershëm dhe gjithëpërfshirës.
“Arsimin publik pa pagesë, për herë të parë mbi 173 mijë studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat”, tha Kurti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë mandatit të Qeverisë së tij janë ndarë 18 mijë bursa, në vlerë prej 20 milionë eurosh, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë të dedikuara për vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Kurti përmendi edhe rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 për qind, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetjen financiare për familjet.
“Në mandatin Kurti 2 janë ndarë 18 mijë bursa, 20 milionë euro dhe rreth 40 për qind e bursave janë pikërisht për STEM, dhe aty 90 për qind janë për gra dhe për vajza”, deklaroi kryeministri.
Në fund, ai theksoi se për herë të parë pas luftës, fëmijët dhe nënat lehona përfitojnë shtesa të rregullta financiare nga shteti.
Deputeti Rrahmani, ka vazhduar diskutimin me kryeministrin Albin Kurti lidhur me edukimin seksual në shkolla dhe trajnimin e mësimdhënësve për këtë çështje.
Rrahmani ka pretenduar se mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar për edukimin seksual dhe ka kërkuar sqarime nga Kurti lidhur me përmbajtjen e këtyre trajnimeve.
“Kryeministër, në paradat në të cilat keni marrë pjesë, sa herë keni dalë, njëra ndër diskutimet tuaja ka qenë pikërisht edhe kjo që po e flas unë. Domethënë, ku i informoni se tash e tutje fëmijët do të mësojnë për këto orientime seksuale. Folët edhe për çështjen e doracakut për edukimin seksual, i cili ka qenë i dedikuar për mësimdhënësit e Republikës. Në atë periudhë mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar dhe në atë trajnim është shpjeguar që ata duhet t'i tregojnë edhe përvojat e tyre seksuale te fëmijët”, deklaroi Rrahmani.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti tha se të arriturat në arsim janë të paraqitura në përmbledhjen e publikuar një ditë më parë, ndërsa kritikoi Rrahmanin për rikthimin e vazhdueshëm te e njëjta temë.
“Edhe një herë, deputeti Rrahmani, të arriturat për arsim i gjeni në faqet 20 dhe 21 të kësaj përmbledhjeje, të cilën e kam publikuar dje. Këtu ka shumë gjëra, por unë po e kuptoj dhe po e ritheksoj që nuk e mirëkuptoj që ju e risillni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual, provoni ndoshta t'i mbani mend diku tjetër, se mbase ndihmon”, u përgjigj Kurti.
