Gjyqtarët izraelitë rekomandojnë heqjen e akuzave më serioze kundër Netanyahut
Gjyqtarët në Izrael kanë sugjeruar që prokurorët të heqin akuzat për ryshfet kundër Benjamin Netanyahut, duke i dhënë potencalisht një shtysë kryeministrit në detyrë ndërsa ai lufton për mbijetesën e tij politike.
Në një hap shumë të pazakontë, një panel gjykues në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit thirri të mërkurën Prokuroren e Përgjithshme Izraelite, Gali Baharav-Miara, për t’i shprehur shqetësimet e tyre. Sipas mediave izraelite, gjyqtarja Rivka Friedman-Feldman i tha asaj: “Shanset e dënimit janë të ulëta, në një masë që justifikon rishqyrtimin e çështjes.”
Gjyqtarët i thanë proktores së përgjithshëm se kishte pak shanse për dënim në të parin nga tre rastet me të cilat po përballet Netanyahu, i njohur si Rasti 4,000 – në të cilin ai akuzohet për dhënie favoresh qeveritare në këmbim të mbulimit pozitiv mediatik, në kuadër të një “marrëveshje reciproke” të supozuar me aksionarin kontrollues të kompanisë më të madhe të telekomunikacionit në Izrael.
Ata gjithashtu vunë në dyshime nëse veprimet e tij përbënin sjellje kriminale në rastin e dytë të korrupsionit, rasti 2,000 – i lidhur me një quid-pro-quo të supozuar me një baron tjetër të medias dhe sugjeruan që prokurorët të kërkojnë një marrëveshje pranimi fajësie në të tretin: Rasti 1,000, i cili pretendon se Netanyahu veproi në dobi të një miliarderi australiani pasi iu dhuruan puro dhe shampanjë prej tij.
Gjyqtarët lanë të hapur mundësinë e një dënimi në rastin e tretë, por theksuan se, në interes të publikut, duhet të ketë një “rishqyrtim” të mënyrës se si do të vazhdonte gjyqi. Baharav-Miara deklaroi se do t’i shqyrtojë rekomandimet.
Netanyahu: “Dhjetë vjet vuajtje të tmerrshme”
Netanyahu vazhdimisht i ka mohuar akuzat dhe të mërkurën bëri thirrje që gjyqi të përfundojë “menjëherë”.
“Dhjetë vjet vuajtje të tmerrshme për mua, familjen time, djalin tim. Dhjetë vjet nxitje për urrejtje që plagos shpirtin,” tha ai në një deklaratë televizive, duke shtuar se “çështjet e fabrikuara” kundër tij tashmë po shemben.
Netanyahu u akuzua për herë të parë në vitin 2019 dhe u bë kryeministri i parë në detyrë i Izraelit që përballet me një gjyq penal. Procedurat janë zgjatur pjesërisht nga lufta e fundit Izrael – Gazë, ndërsa gjyqtarët ranë dakord të reduktonin numrin e seancave për shqetësime sigurie.
Gjyqi ka përkuar me reforma të diskutueshme në sistemin gjyqësor të ndërmarra nga qeveria e tij. Për kundërshtarët e tij, frika e Netanyahut nga burgu ka ndikuar negativisht në vendimmarrjen e tij dhe e ka bërë të varur nga partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë.
Zhvillim në kohë shtrënguese politike
Ky zhvillim vjen në një moment kyç: kundërshtari politik i Netanyahut, Gadi Eisenkot, po përpiqet të formojë qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të kaluar, të cilat nuk prodhuan fitues të qartë. Edhe pse blloku parlamentar i Netanyahut fitoi më shumë vende sesa ai i rivalit, asnjëri nuk siguroi shumicë absolute, dhe presidenti i Izraelit i ka dhënë Eisenkotit mundësinë e parë për të formuar administratën e re.
Ndaj Netanyahut rëndon gjithashtu një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, akuza që ai i mohon.
Sipas raportimeve të mediave izraelite dhe BBC; gjyqi ndaj Netanyahut ende nuk ka përfunduar dhe rekomandimet e gjyqtarëve nuk do të thotë domosdoshmërisht heqje e akuzave.
