POLITIKATË FUNDIT

Komisionerja e BE-së: Marta Kos në Kuvend të Shqipërisë

Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, do të jetë ditën e nesërme përballë deputetëve të Shqipërisë, në një takim të dedikuar procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE), me pjesëmarrjen e bashkëkryetarëve të tij, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku.

Sipas njoftimit të Kuvendit, takimi do të hapet me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve, për t’u vijuar me diskutime nga përfaqësues të grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, të cilët do të ndajnë qëndrimet e tyre mbi ecurinë dhe sfidat e procesit të negociatave. Pastaj, diskutimeve do t’u bashkohen edhe përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë, të cilët do të kenë mundësinë të parashtrojnë pikëpamjet e tyre. Fjala përmbyllëse do t’i takojë Komisioneres Kos.

Pse një takim kyç: konteksti i negociatave

Vizita vjen pak javë pas publikimit të Paketës së Zgjerimit 2026, 4 nëntor. Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë një rrugë indikative për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, një nga datat më konkrete që ka pasur ndonjëherë Tirana në procesin e integrimit.

Sipas kësaj pakoje, Shqipëria deri tani ka mbyllur përkohësisht vetëm 4 kapituj, ndërsa 31 të tjerë i presin përmbylljes. Gjatë periudhës raportuese, vendi hapi grupin e fundit të mbetur të negociatave dhe plotësoi kriteret e ndërkohëshme për kapitujt e sundimit të ligjit, duke hapur rrugën për mbylljen përkohëse të katër kapitujve. Komisioni rekomandon që puna mbi kriteret e mbylljes të përfundohet “mjaft herët”, me mundësinë e mbylljes së kapitujve të mbetur në tre faza brenda 12 muajve të ardhshëm.

Vitin 2026 Komisioni e quan një vit rekord për zgjerimin. Për herë të parë në dy dekada janë mbajtur katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit, ndërsa kapitujt janë hapur e mbyllur me një ritëm të paarritshëm më parë. Shqipëria përmendet ndër udhëheqësit e këtij procesi, krahas Malit të Zi, Moldavisë dhe Ukrainës.

Dialogu me politikën: kushti kyç i BE-së

Pikërisht mbi këtë dimension vihet fokusi i takimit të nesërm: Paketa e Zgjerimit thekson se përmbyllja e negociatave brenda 2027, kërkon mbajtjen e ritmit të reformave dhe nxitjen e një dialogu politik gjithëpërfshirës. Në këtë kuptim, takimi në Kuvend, ku do të flasin komisionet parlamentare, grupet politike dhe grupet e interesit, shihet si një test praktik i asaj që Brukseli pret nga Tirana: konsensus politik për procesin e integrimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *