POLITIKATË FUNDIT

Libra për shqiptarët në Serbi, të rinjtë në Pogradec bëhen pjesë e nismës

Dhuro një libër për bibliotekën e Bujanovcit” është nisma e re ndërmarrë nga bashkia e Pogradecit.

Kjo iniciativë nisi pas kërkesës së kryetarit të komunës së Bujanovcit në vizitën e fundit në Pogradec, i cili tregoi se shqiptarët në Serbi “vuajnë” mungesën e literaturës shqiptare.

“Kjo ide nisi në fund të muajit Mars ku të gjithë kryetarët e bashkive të Maqedonisë, Kosovës por edhe komunave shqiptare serbe ishin në Pogradec. Kryetari i komunës Bujanovc në fjalën e tij shprehu me dhimbje se biblioteka e këtij qyteti ka mungesë të librave dhe autorëve shqiptare të cilët janë në mungesë të theksuar dhe banorët e kësaj komune janë në kërkim të këtyre librave“, tha Entela Gusho, nënkryetare e Bashkisë Pogradec.

Thirrja është përqafuar edhe nga të rinjtë e qytetit.

“Dëgjova për thirrjen që ndërmori bashkia Pogradec lidhur me dhurimin e librave për bibliotekën e Bujanocit në luginën e Preshevës, marrëdhënia ime me librin është e shenjtë dhe isha e frymëzuar të merrja pjesë në këtë nismë. Kam vendosur të dhuroj librin e Mitrush Kutelit sepse mendoj që libri është arma me e forte për te lidhur njerëzit, sidomos bashkëkombësit tanë”, tha nxënësja Fjona Danglli.

“Vendosa të dhuroj një libër e shumë të tjerë që kam në shtëpi sepse u bëra pjesë e kësaj nisme, përsa i përket pasurimit të bibliotekës se Bujanocit. Pasioni që kam për librin e duke ditur që persona të tjerë nuk e kanë të njëjtën mundësi që kemi dhe ne për të lexuar shqip, do dhuroj një pjesë të librave të mi”, tha Loridela Beqari.

Deri më tani janë mbledhur mbi 200 libra me autorë të ndryshëm shqiptarë, të cilat më pas do të dërgohen drejt Luginës së Preshevës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *