Raporti i UNICEF-it: Kosova nuk ka një program universal të ushqyerjes në shkolla, pijet energjike shqetësim në rritje për shëndetin e adoleshentëve
Sjelljet lidhur me ushqyerjen dhe aktivitetin fizik, të formuara gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, kanë ndikim përgjatë gjithë jetës në shëndet, mirëqenie, rezultate të të nxënit dhe produktivitet.
Në një raport të UNICEF-it thuhet se në nivel global, dietat jo të shëndetshme, pasiviteti fizik dhe disponueshmëria gjithnjë e më e madhe e ushqimeve ultra të përpunuara po kontribuojnë në rritjen e barrës së mbipeshës, obezitetit dhe sëmundjeve jo të transmetueshme të lidhura me dietën te fëmijët dhe adoleshentët.
Në këtë raport më tej theksohet se shkollat njihen si një nga platformat më efektive për promovimin e mënyrave të shëndetshme të jetesës, duke pasur parasysh rolin e tyre unik në formimin e shprehive të përditshme të fëmijëve, zgjedhjeve ushqimore dhe mundësive për aktivitet fizik.
“Instrumenti për vlerësimin e mjedisit të ushqyerjes për shkolla (NEATs) është një metodologji vlerësimi e njohur në nivel global, e zhvilluar për të vlerësuar në mënyrë sistematike mjediset e ushqyerjes dhe aktivitetit fizik në shkolla.
NEATs u mundëson vendeve të identifikojnë anët e forta, mangësitë dhe mundësitë brenda mjediseve shkollore, duke vlerësuar politikat, disponueshmërinë e ushqimit, infrastrukturën, edukimin për ushqyeshmërinë, qasjen në ujë të pijshëm dhe shërbime sanitare, si dhe mundësitë për aktivitet fizik.
Gjetjet e gjeneruara përmes NEATs mbështesin politikëbërjen e bazuar në dëshmi, si dhe zhvillimin e ndërhyrjeve që nxisin mjedise shkollore më të shëndetshme për të gjithë fëmijët”, thuhet më tej.
Në Kosovë, përmirësimi i ushqyerjes dhe mënyrave të shëndetshme të jetesës te fëmijët dhe adoleshentët janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm, ndërsa Kosova vazhdon të trajtojë sfidat ekzistuese të ushqyerjes, duke përfshirë praktikat jo optimale të ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, pabarazitë në ushqyerje ndërmjet grupeve të cenueshme dhe nevojën për përmirësimin e cilësisë së dietës gjatë gjithë jetës.
Zbatimi i NEATs në Kosovë paraqet një mundësi të rëndësishme për të gjeneruar dëshmi të vlefshme në nivel vendi për mjediset e ushqyerjes në shkolla, si dhe për të mbështetur veprimin shumësektorial që përfshin sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe qeverisjes lokale.
Vlerësimi identifikoi mundësi të konsiderueshme për përmirësimin e mjediseve të ushqyerjes në shkolla në mbarë Kosovën. Ndonëse ofrimi i shujtave në shkolla ishte i kufizuar, një shkollë që mori pjesë në një pilot projekt të mësimit tërëditor dëshmoi një qasje premtuese, të udhëhequr në nivel lokal, për ofrimin e shujtave dhe zamrave (mesvakteve) të shëndetshme për nxënësit gjatë gjithë ciklit të arsimit të detyrueshëm.
Në përgjithësi, brenda shkollave nuk shitej ushqim, por aty ku ishte i disponueshëm, mbizotëronin opsionet jo të shëndetshme. Për më tepër, shumica e shkollave i lejonin nxënësit të dilnin nga hapësirat e shkollës gjatë orarit shkollor për të blerë ushqim dhe pije, ndërsa opsionet jo të shëndetshme ishin gjerësisht të disponueshme në pikat e afërta të shitjes me pakicë.
Në të kundërt, marketingu i ushqimeve jo të shëndetshme brenda shkollave ishte i rrallë.
Qasja në ujë të pijshëm të sigurt dhe në hapësira e pajisje të përshtatshme për aktivitet fizik ishte e pabarabartë, ndërsa disa shkollave u mungonin edhe ambientet për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta.
Megjithatë, aktiviteti fizik i organizuar ishte qartazi një pikë e fortë, pasi pothuajse të gjitha shkollat i përmbushnin kërkesat e kurrikulës.
Ekzistojnë gjithashtu mundësi të rëndësishme për përmirësimin e edukimit për ushqyeshmërinë dhe të shërbimeve shëndetësore të ndërlidhura me ushqyerjen, të cilat ishin të kufizuara dhe zbatoheshin në mënyrë të fragmentuar nëpër shkolla.
Gjetjet nxjerrin në pah nevojën për një kornizë gjithëpërfshirëse të politikave dhe legjislacionit për të mbështetur mjedise më të shëndetshme të ushqyerjes në shkolla në Kosovë.
Prioritetet përfshijnë krijimin gradual të një programi të shujtave ose zamrave në shkolla, të financuar nga fondet publike; vendosjen e standardeve të detyrueshme të ushqyerjes për ushqimet dhe pijet që ofrohen ose shiten në shkolla; si dhe kufizimin e shitjes dhe marketingut të produkteve jo të shëndetshme brenda dhe përreth shkollave.
“Nevojiten veprime të mëtejshme për të forcuar edukimin për ushqyerjen, për të siguruar qasje universale në ujë të pijshëm të sigurt, për të krijuar mekanizma të standardizuar referimi ndërmjet shkollave dhe shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor, si dhe për të investuar në infrastrukturë e ambiente të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për aktivitet fizik.
Këto veprime duhet të mbështeten me burime të mjaftueshme, udhëzime të qarta për zbatim dhe një kornize të monitorimit dhe llogaridhënies, e cila mundëson vlerësimin rutinor të mjediseve të ushqyerjes dhe aktivitetit fizik në shkolla dhe përfshin përvojat e nxënësve.
Aty ku është e realizueshme, treguesit e NEATs mund të integrohen në sistemet ekzistuese të informacionit të arsimit dhe shëndetësisë për të mbështetur monitorimin e vazhdueshëm dhe vendimmarrjen e mbështetur në dëshmi.
Duke u mbështetur në partneritetet e forta të krijuara përmes këtij vlerësimi, Kosova tani ka një mundësi të rëndësishme për t’i shndërruar këto dëshmi në veprime të koordinuara për krijimin e mjediseve shkollore më të shëndetshme që mbështesin shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve”, thuhet në njoftim.
Kosova ka një popullsi relativisht të re, ku fëmijët dhe adoleshentët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë
Të dhënat e fundit tregojnë se afërsisht 26% e popullsisë është e moshës 0–18 vjeç, duke nxjerrë në pah përqindjen e lartë të fëmijëve dhe të rinjve në vend.
Gjatë dekadës së fundit, vendi ka shënuar përparim të rëndësishëm në forcimin e sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, duke përfshirë reformat e përqendruara në kujdesin parësor shëndetësor, shërbimet shëndetësore parandaluese dhe arsimin gjithëpërfshirës.
Pavarësisht këtyre përparimeve, vazhdojnë të ekzistojnë pabarazi në qasjen në shërbime cilësore dhe kushteve të shëndetshme të jetesës, veçanërisht mes grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara.
Ndryshimi i sistemeve ushqimore, urbanizimi në rritje dhe disponueshmëria gjithnjë e më e madhe e ushqimeve të përpunuara po ndikojnë në modelet e të ushqyerit dhe sjelljet që lidhen me mënyrën e jetesës te familjet dhe fëmijët.
Këto prirje kontribuojnë në rritjen e barrës së mbipeshës, obezitetit dhe sëmundjeve jo të transmetueshme të lidhura me dietën. Në të njëjtën kohë, sëmundjet kardiovaskulare mbeten ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.
Gjendja e ushqyerjes dhe e aktivitetit fizik gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës
Kosova po përjeton ndryshime në dietë dhe mënyrën e jetesës, të karakterizuara nga rritja e konsumit të ushqimeve të përpunuara, sjelljet sedentare dhe ndryshimi i shprehive ushqimore te fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e mbipeshës dhe obezitetit është në rritje në të gjithë rajonin, e nxitur nga ndryshimi i mjediseve të ushqyerjes dhe shprehitë e gabuara ushqimore.
Kjo sfidë rëndohet nga barra e dyfishtë e kequshqyerjes që fillon në fëmijërinë e hershme.
Gjetjet e MICS-it 2025 tregojnë se 42% e foshnjave të moshës 0–5 muaj ushqehen ekskluzivisht me gji, ndërsa vetëm 35% e fëmijëve të moshës 6–23 muaj ushqehen me një dietë minimale të pranueshme, çka tregon sfida të vazhdueshme në praktikat e ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël. Cilësia e dietës mbetet shqetësuese, pasi 57% e fëmijëve të moshës 6–23 muaj konsumojnë ushqime jo të shëndetshme dhe 42% konsumojnë pije të ëmbla, ndërsa te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë këto përqindje rriten përkatësisht në 80% dhe 72%.
Megjithëse ngecja e përgjithshme në rritje te fëmijët nën moshën pesëvjeçare mbetet relativisht e ulët, në 5%, kequshqyerja kronike prek në mënyrë joproporcionale fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë, ndër të cilët 16% kanë ngecje në rritje, krahasuar me 5% në popullatën e përgjithshme, duke nxjerrë në pah pabarazitë e vazhdueshme në ushqyerje.
Në të njëjtën kohë, 8% e fëmijëve nën moshën pesëvjeçare janë me mbipeshë, duke nënvizuar krahas ushqyerjes së pamjaftueshme dhe mbipeshës, edhe kompleksitetin në rritje të sfidave të ushqyerjes në Kosovë.
Kur fëmijët hyjnë në sistemin shkollor, zgjedhjet e gabuara ushqimore i përkeqësojnë më tej këto rreziqe shëndetësore.
Për më tepër, një vlerësim i vitit 2023 tregon se në dietat në shkollat fillore mbizotërojnë dukshëm artikujt jo të shëndetshëm, si produktet e brumit, ëmbëlsirat dhe lëngjet me sheqer, ndërsa opsionet e pasura me lëndë ushqyese pothuajse mungojnë tërësisht.
Këto shprehi ndikohen fuqishëm nga mjedisi tregtar në afërsi, ku 62% e prindërve në këtë studim raportojnë se kioskat dhe supermarketet pranë shkollave shesin kryesisht zamra dhe pije jo të shëndetshme.
Megjithëse 79% e prindërve besojnë se përgatitja e ushqimit në shtëpi është financiarisht më e përballueshme, vetëm 33% e bëjnë vërtet këtë, duke përmendur shpesh mungesën e mensave të përshtatshme shkollore si pengesën kryesore për shprehi më të shëndetshme.
Për më tepër, me kalimin e të rinjve në adoleshencë, konsumi i pakontrolluar i pijeve energjike është shfaqur si një shqetësim në rritje për shëndetin publik.
“Në fund të fundit, ulja e varësisë së fëmijëve nga ushqimet ultra të përpunuara, me përmbajtje të lartë kripe, yndyre dhe sheqeri, duke trajtuar njëkohësisht konsumin e përhapur të pijeve energjike, mbetet një objektiv kyç për Kosovën për të ndalur prirjen e vazhdueshme në rritje të obezitetit te fëmijët dhe të sëmundjeve metabolike të lidhura me të.
Sistemi arsimor në Kosovë
Në raport thuhet se sistemi arsimor në Kosovë ndjek Klasifikimin Standard Ndërkombëtar të Arsimit (ISCED 2011) dhe përcakton arsimin e detyrueshëm për fëmijët dhe adoleshentët nga klasa 1 deri në klasën 9.
Në të gjithë vendin ka 833 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta (nga të cilat 624 shkolla amë dhe 209 paralele të ndara), 120 shkolla të mesme të larta (105 shkolla amë dhe 15 paralele të ndara) dhe 6 shkolla për arsimin special.
Pavarësisht rregulloreve ekzistuese dhe zotimeve të mëparshme politike, Kosova aktualisht nuk ka një program universal të ushqyerjes në shkolla për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe pengesave operative komunale.
Rrjedhimisht, ofrimi i shujtave në shkolla është shumë i decentralizuar. Përderisa disa komuna ofrojnë në mënyrë të pavarur shujta ditore falas për nxënësit e arsimit fillor, shumica dërrmuese e shkollave nuk mund të ofrojnë programe formale për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme (si mensat) dhe mungesës së personelit të trajnuar për ushqyerjen.
Ndonëse disa komuna kanë ndërmarrë nisma në shkallë të vogël ose pilot projekte, si për shembull krijimi i mensave shkollore në zona të caktuara urbane – ende nuk ekziston një program i standardizuar i ushqyerjes në shkolla në mbarë Kosovën.
Dëshmitë nga vlerësimi i Ubo Consulting i vitit 2023 tregojnë se praktikat ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme ndërmjet komunave, ku në shumicën e shkollave ushqimi merret nga shtëpia ose blihet në dyqanet e afërta.
Në këto mjedise, ushqyerja e nxënësve varet kryesisht nga burimet dhe zgjedhjet ushqimore të ekonomive familjare, ndërsa shumë fëmijë përdorin paratë e xhepit për të blerë ushqime ultra të përpunuara nga shitësit lokalë gjatë pushimeve. /Telegrafi/
