TË FUNDIT

Flicku jep dritën e gjelbër për transferimin e talentit gjerman te Barcelona

Hansi Flick ka miratuar interesimin e Barcelonës për qendërmbrojtësin gjerman Finn Jeltsch, i cili po spikat te Stuttgart dhe ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

Sipas mediumit Sport , gjiganti katalunas po e shqyrton mundësinë e transferimit të 20-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme, por në garë është edhe Liverpooli, ndërsa çmimi i tij mund të arrijë deri në 50 milionë euro.

Interesimi i Barcelonës nuk është thjesht një rekomandim i trajnerit gjerman. Sipas Sky Sport , klubi katalunas kishte dërguar skautë për ta vëzhguar nga afër mbrojtësin në muajin shtator, gjatë ndeshjes evropiane të Stuttgartit kundër Viking Stavangerit.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një ofertë zyrtare nga Barcelona dhe as marrëveshje të arritur mes palëve.

Trajneri Hansi Flick vazhdon ta shikojë tregun gjerman si një mundësi të rëndësishme për përforcimin e Barcelonës. Finn Jeltsch përputhet me profilin e një mbrojtësi të ri, i cili mund të kontribojë në skuadrën e parë dhe të zhvillohet më tej nën drejtimin e trajnerit gjerman.

Me një gjatësi prej 1.88 metrash, sipas të dhënave të publikuara nga AS , Jeltsch vlerësohet për aftësitë në ndërtimin e aksioneve nga prapavija dhe për mënyrën se si e bart topin drejt mesfushës.

Paraqitjet e tij me Stuttgartin e kanë ndihmuar të konsolidohet në ekipin e parë, duke hyrë gjithashtu në radarët e përfaqësueses së Gjermanisë.

🚨🎖| 𝐉𝐔𝐒𝐓 𝐈𝐍: Hansi Flick has identified Stuttgart centre-back Finn Jeltsch as a PRIORITY target for Barça. [@Alfremartinezz] #fcblive https://t.co/JvuaiZ9QdE — BarçaTimes (@BarcaTimes) October 18, 2026

Përveç Barcelonës, edhe Interi po e përcjell nga afër progresin e mbrojtësit, sipas Sky Sport . Në garë për shërbimet e tij përmenden gjithashtu Real Madridi dhe disa klube të Ligës Premier, çka do ta vështirësonte përpjekjen e katalunasve për ta siguruar transferimin.

Vlera e transferimit pritet të jetë një nga faktorët kryesorë në këtë operacion. Vlerësimet e publikuara për Finn Jeltsch sillen rreth 40 milionë eurove, ndërsa raportime të tjera bëjnë të ditur se Stuttgarti mund të kërkojë deri në 50 milionë euro për ta lënë të lirë mbrojtësin e talentuar.

Kjo shumë përmendet edhe në raportimet që lidhin Liverpoolin me interesimin për futbollistin. Megjithatë, nuk ka konfirmim se Stuttgarti ka përcaktuar një çmim përfundimtar apo se Barcelona ka paraqitur ofertë zyrtare.

Jeltsch iu bashkua Stuttgartit nga Nurembergu dhe tashmë po zhvillon sezonin e tretë në klub. Përparimi i tij dhe interesimi nga disa prej skuadrave më të njohura të Evropës mund ta rrisin edhe më shumë vlerën e tij nëse vazhdon me paraqitje të mira.

Barcelona po vazhdon ta vlerësojë situatën në repartin defensiv, ku lëndimet e fundit të Jules Kounde dhe Eric Garcia, së bashku me problemet fizike të mbrojtësve të tjerë, kanë kufizuar alternativat në dispozicion të Flickut.

Në këto rrethana, afrimi i një qendërmbrojtësi të ri mund të jetë një nga prioritetet e klubit në afatin kalimtar të ardhshëm. Jeltsch shihet si një opsion me potencial për të ardhmen, por mbetet të shihet nëse Barcelona do ta konkretizojë interesimin me një ofertë zyrtare. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *