Foda pas humbjes nga Irlanda: Gjithçka ndryshoi pas kartonit të kuq, kjo nuk duhej të ndodhte
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i zhgënjyer pas humbjes 3:0 ndaj Irlandës, duke thënë se kartoni i kuq i Kreshnik Hajrizit ishte momenti që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.
Në deklaratën pas takimit, Foda tha se Kosova e kishte nisur mirë përballjen dhe se në 20 deri në 25 minutat e para kishte qenë skuadër dominuese në fushë.
Ai theksoi se Dardanët kishin mundësi të kalonin në epërsi, veçanërisht përmes rastit të Lindon Emërllahut.
Megjithatë, sipas tij, gjithçka ndryshoi pas përjashtimit të Hajrizit, duke e bërë shumë më të vështirë vazhdimin e ndeshjes me një lojtar më pak.
“Gjithçka ndryshoi pas kartonit të kuq. Ishte e vështirë të luanim me një lojtar më pak”, deklaroi Foda.
Përzgjedhësi kosovar u ndal edhe te veprimi i Hajrizit, duke thënë se një situatë e tillë nuk duhej të ndodhte, sidomos nga një futbollist me përvojë.
“Nuk duhej të ndodhte. Si një lojtar me përvojë, duhej të merrte një vendim tjetër”, u shpreh ai.
Foda shtoi se pas golit të dytë të Irlandës, situata u vështirësua edhe më shumë, pasi kundërshtari rriti presionin.
Ai kujtoi se Kosova kishte luajtur me një lojtar më pak edhe ndaj Izraelit, duke theksuar se në këtë nivel është shumë e vështirë të përballosh dy ndeshje në kushte të tilla.
Pavarësisht rezultateve të fundit, Foda u shpreh optimist për të ardhmen e përfaqësueses, duke vlerësuar se Kosova ka futbollistë cilësorë dhe potencial për të ecur përpara.
Ai gjithashtu theksoi se Liga B paraqet nivel tjetër të konkurrimit krahasuar me Ligën C.
