Vrasja në Suharekë, viktima u qëllua me armë zjarri në prani të vajzës dhe bashkëshortes
SUHAREKË – Një person ka mbetur i vrarë të mërkurën në Suharekë, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.
Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:03 në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. Pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e krim-teknikës për zhvillimin e procedurave hetimore.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari me inicialet Rr.H. dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje të çastit ka privuar nga jeta viktimën me inicialet S.D., duke shtënë me armë zjarri. Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria bëri të ditur se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Po ashtu, brenda afatit ligjor pritet të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
