Kërkoi 500 euro ryshfet, i punësuari i Drejtorisë qeveritare përfundon në paraburgim
Një punonjës i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Shkup ka rënë në prangat e hetuesve, pasi dyshohet se ka marrë 32.000 denarë (rreth 500 euro) ryshfet për të miratuar dokumente që nuk i plotësonin kushtet ligjore. Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur hetimet dhe ka kërkuar që ai të dërgohet menjëherë në paraburgim, përcjell INA.
Sipas prokurorisë, zyrtari punonte në sektorin për leje urbanistike dhe kishte për detyrë të kontrollonte nëse projektet dhe objektet e reja i plotësojnë standardet e sigurisë nga zjarri, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme.
Por, në vend që ta zbatonte ligjin, ai i ka kërkuar dhe i ka marrë drejtpërdrejt 32.000 denarë një qytetari, duke i dhënë pëlqimin për një elaborat që realisht nuk i plotësonte kushtet për ndërtim.
Për shkak të peshës së veprës dhe rrezikut që i dyshuari të arratiset, ta përsërisë shkeljen apo të ndikojë te dëshmitarët, prokurori ka kërkuar nga gjykata që t’i caktohet masa e paraburgimit. (INA)
