Aksion i madh kundër trafikut të drogës në Zvicër, arrestohen 41 persona
Një operacion i madh ndërkombëtar kundër trafikut të kokainës ka përfunduar me 41 persona të ndaluar në Zvicër, ndërsa autoritetet kanë realizuar gjithsej 84 kontrolle në 12 kantone zvicerane dhe shtatë shtete të tjera.
Operacioni, i zhvilluar më 10 dhe 11 nëntor, u koordinua nga Zyra e Prokurorit Federal të Zvicrës dhe Policia Federale (Fedpol), në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, raporton 20 minuten .
Nga 84 kontrollet e realizuara, 55 prej tyre u kryen në territorin zviceran. Pesë nga 41 personat e ndaluar pritet të përballen me kërkesë për paraburgim, ndërsa tre persona të tjerë të arrestuar jashtë vendit ndodhen në paraburgim në pritje të ekstradimit.
Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan mbi 2.3 milionë franga zvicerane, kriptovaluta në vlerë prej 50 mijë frangash, si dhe 15 armë.
750 kilogramë kokainë të sekuestruara në Antwerp
Hetimet ndaj këtij rrjeti kriminal kishin nisur në vitin 2023, ndërsa dyshohet se organizata ishte aktive që nga fillimi i vitit 2019.
Sipas autoriteteve zvicerane, rrjeti dyshohet se ka bashkëpunuar me një ose disa organizata kriminale në Amerikën Latine, të cilat transportonin sasi të mëdha kokaine drejt Evropës përmes kontejnerëve të mallrave, transmeton Telegrafi.
Droga dyshohet se fshihej në ngarkesa të ligjshme, ndërsa për pranimin dhe transportimin e saj përdoreshin kompani tregtare në Zvicër dhe Holandë, të cilat dyshohet se ishin krijuar posaçërisht për të lehtësuar aktivitetin kriminal.
Hetuesit besojnë se disa sekuestrime të kokainës, në sasi prej disa tonësh që nga viti 2019, kryesisht në portet evropiane, mund të kenë lidhje me këtë rrjet.
Një nga rastet më të mëdha u regjistrua në gusht të vitit 2026, kur në portin e Antwerp-it, në Belgjikë, u sekuestruan më shumë se 750 kilogramë kokainë nga një ngarkesë mallrash, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Të dyshuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shkelje të legjislacionit për narkotikët dhe pastrim të rëndë të parave.
Hetimet, të udhëhequra nga Zyra e Prokurorit Federal në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kantonale të Thurgaut dhe Fedpol-in, janë duke vazhduar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se për të gjithë personat e dyshuar vlen prezumimi i pafajësisë. /Telegrafi/
