TË FUNDIT

47 gola larg thyerjes së rekordit për golashënuesin më të mirë në histori, Harry Kane flet për rikthimin në Ligën Premier

Harry Kane ka folur për mundësinë e thyerjes së rekordit historik të golave në Ligën Premier, duke pranuar se kjo mbetet një prej objektivave të mundshme në karrierën e tij, por jo prioriteti kryesor në këtë fazë.

Sulmuesi anglez, i cili aktualisht aktivizohet te Bayern Munich, ka theksuar se është plotësisht i përqendruar te klubi gjerman, ku thotë se po kalon një periudhë shumë të mirë.

“Fokusi im i plotë për momentin është te Bayern Munich. Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një trajner fantastik, ndërsa jam jashtëzakonisht i lumtur këtu”, deklaroi Kane në një intervistë për Sport Bild.

33-vjeçari shtoi se Bayerni ka ende objektiva të mëdha përpara dhe synon të vazhdojë dominimin në futbollin gjerman, si dhe të triumfojë në garën më prestigjioze evropiane për klube.

“Kemi ende objektiva të tjera me Bayernin dhe duam të arrijmë gjëra të reja. Synojmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, të vazhdojmë të dominojmë Bundesligën dhe t'i mbrojmë trofetë që fituam sezonin e kaluar”.

Megjithatë, Kane nuk e përjashtoi mundësinë që në një të ardhme të rikthehet në futbollin anglez për të tentuar thyerjen e rekordit të golave në Ligën Premier.

“Gjatë karrierës dhe jetës sime kam mësuar se nuk mund ta kontrollosh gjithmonë gjithçka vetë. Ndonjëherë duhet thjesht t'i lejosh gjërat të ndodhin, të besosh te vetja dhe të vazhdosh të punosh fort”.

“Ky është prioriteti im tani. Nuk do ta përjashtoja kurrë mundësinë për ta thyer rekordin historik të golave në Ligën Premier në një moment të karrierës sime, por aktualisht nuk është fokusi im kryesor”, përfundoi Kane.

Kujtojmë se rekordi i golave në historinë e Ligës Premier mbahet nga Alan Shearer me 260 gola, ndërsa Kane kishte realizuar 213 gola në këtë kampionat para transferimit te Bayern Munich në vitin 2023./ Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *