Arrestohet në Greqi shqiptari që jetonte me identitet të rremë, ishte dënuar me 22 vjet burg për vrasjen e dy vëllezërve
Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi, pasi për vite me radhë kishte jetuar atje duke përdorur identitet të rremë.
Bëhet fjalë për Z.P, i njohur edhe si F.P, i cili në Greqi përdorte emrin Nikolin P dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, identiteti i tij u zbulua përmes analizimit të të dhënave biometrike, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, të zhvilluar në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Policinë greke.
Preldakaj ishte dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vjet burgim për përfshirjen në vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Shtoj i Vjetër, në vitin 2002, raportojnë mediat shqiptare.
Ai dyshohet gjithashtu për përfshirje në vrasjen e dy personave, një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve ishin gjetur në një automjet në Korinth të Greqisë, në vitin 2020.
Sipas autoriteteve, shqiptari rezulton me precedentë penalë edhe në Greqi për grabitje me armë, shkelje të legjislacionit për armët dhe lojërat e fatit, si dhe posedim të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana është duke bashkëpunuar me autoritetet greke për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin drejt Shqipërisë. /Telegrafi/
