Bie çmimi i naftës në Kosovë
Çmimi mesatar i naftës në Kosovë ka shënuar rënie për katër centë për litër gjatë 24 orëve të fundit, duke zbritur nga 1.83 në 1.79 euro.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), çmimi mesatar i benzinës aktualisht është 1.43 euro për litër.
Ministria ka bërë të ditur se rënia e çmimeve të derivateve në tregjet ndërkombëtare ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Kosovës, pas intensifikimit të kontrolleve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).
Sipas MINTI-t, gjatë dy ditëve të fundit janë shtuar aktivitetet inspektuese me qëllim të sigurimit që ndryshimet e çmimeve në tregjet globale të reflektohen edhe te konsumatorët në Kosovë.
“Nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se tendenca e rënies së çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
MINTI ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës, nga e cila pranon çdo ditë të dhëna zyrtare për çmimet e importit të derivateve.
Për analizimin e çmimeve, ministria merr parasysh tri tregues kryesorë: çmimin mesatar të furnizimit të ditës paraprake, çmimin e 10 milionë litrave të fundit të importuara dhe çmimin mesatar të shitjes në tregun vendor.
Sipas ministrisë, këta tregues shërbejnë për të identifikuar devijimet e mundshme dhe të pajustifikuara në çmimet e shitjes.
Inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa synimi, sipas MINTI-t, është që ulja e kostos së furnizimit të reflektohet në kohë edhe te konsumatorët.
Ndërkohë, rënie të ndjeshme të çmimit ka pasur edhe në bursat ndërkombëtare. Nafta Brent, që shërben si pikë referimi për tregjet globale, ka rënë për 2.92 dollarë apo 3.15 për qind, duke u tregtuar me 89.65 dollarë për fuçi.
