TË FUNDIT

Surroi: Interesi personal i Ramës me Vuçiçin dëmtoi Kosovën, por edhe integrimin e Shqipërisë

Analisti kosovar, Veton Surroi, në një shkrim të gjatë në gazetën KOHA thekson se diplomacia personale e Edi Ramës e ka dëmtuar Shqipërinë.

Sipas tij, një gjë e tillë u bë e dukshme gjatë miqësisë së Ramës me Aleksandër Vuçicin.

Surroi thekson se kjo marrëdhënie dëmtoi Kosovën, por edhe integrimin e Shqipërisë.

“Në raport me Vuçiqin dhe Kosovën, kryeministri Rama ka përsëritur të njëjtin gabim.

Ai ka mbajtur anën e presidentit Vuçiç me “Ballkanin e Hapur”, ndarjen territoriale të Kosovës, vendosjen e autonomisë territoriale serbe në Republikën e Kosovës dhe përgjatë eskalimit të dhunës në pjesën veriore të vendit, vendosjen e këtij territori nën protektorat të veçantë të NATO-s.

Është vështirë të kuptohet se çfarë mund të ishte interesi i Shqipërisë për destabilizimin e një shteti fqinj, aq më pak të një shteti të përbërë në shumicë nga e njëjta etni.

Sërish, në mungesë të një interesi të identifikuar të shtetit, mbetet interesi personal i z. Rama, dhe kjo çështje përderisa të mos shpjegohet nga ai vetë apo nga gërmimet e dokumenteve ndonjë ditë, mbetet e panjohur.

E vetmja gjë që është e dukshme nga faktet është gatishmëria e z. Rama për të përkrahur interesat e z. Vuçiç, personale apo të shtetit të tij, pa ndonjë benefit evident për Shqipërinë. Këtë ai e manifestoi jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe me shkrimin e një editoriali të përbashkët me presidentin e atëhershëm, Vuçiç, për një modalitet të ri të integrimit në BE që nuk do t’u jepte shteteve të reja të drejta të njëjta si shtetet tashmë anëtare.

Këtë shkrim z. Rama e bëri ndërsa Shqipëria ishte pothuajse shumë afër Malit të Zi në ritmin e anëtarësimit në BE, ndërsa Serbia gjithnjë e më afër Gjeorgjisë, pra krejtësisht larg. Sot, Mali i Zi është rrugës që të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në verën e vitit 2027, Vuçiç humbi në mënyrë spektakolare nga një listë që udhëhoqi kryengritjen kundër tij për dy vjet rresht e Shqipërisë i ka mbetur në dorë një editorial i pavlerë së bashku me një sërë vendimesh të gabuara ndaj Kosovës dhe një krizë të brendshme, e cila po e deligjitimon natyrën e pushtetit në vend,” shkruan Surroi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *